
Demokratët kërkuan sërish debat në Kuvend për programin qeverisës. Maxhoranca zgjodhi t’i përgjigjej përmes deputetëve të rinj të saj, të cilët kritikuan sjelljen e opozitës në parlament. Në fund, vetëm me votat e shumicës, u miratua pas 120 minutash debat, kalendari i punimeve.
Edhe pse dy të parët e tyre në parlament, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe ai i grupit parlamentar Gazment Bardhi munguan, opozita e kishte të qartë se cila do të ishte kryefjala e saj në seancën plenare të kësaj të hëne: Debati i munguar për programin e qeverisë.
“Grupi Parlament i PD ka kërkuar një mocion për kryetarin e Parlamentin dhe një mocion me debat për programin e qeverisë dhe një interpelancë për programin e qeverisë për integrimin në BE. Mendoj që duhet të fokusohemi tek kërkesat që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve”, tha Tabaku.
“Ato që thotë Toni (Gogu), që e keni programin, po pikërisht e Toni, prandaj po themi ne, që ta rikthejmë atë seancën, të flasim për atë trobetrasfulla program. Se kalendari që keni sjellë ju, është për hallet e juaja, se ne kemi një vit këtu, që nuk flasim për ata që na kanë votuar poshtë”, tha Saimir Korreshi.
“Nga dole më e votuara e burgut? Kjo është një pyetje që e presin të gjithë qytetarët e Elbasanit”, pyeti Xhaferi-Sara Milen.
“Dua të them se jam e zhgënjyer nga Besarti sepse kam menduar se do sillte standard tjetër. Ai ka qenë në listë të mbyllur dhe nuk i di ethet e garës se e ka marrë falas këtë karrige”, iu përgjigj deputetja e PS.
Debati nuk mungoi as për projekt-ligjin për Barazinë Gjinore, përmes së cilit opozita pretendon se kërkon të zhbëhet përcaktimi klasik i dy gjinive: burrë e grua.
“Dua t’ju them që pr/ligji për Barazinë Gjinore në fakt është i përfshirë te “benchmark” i ndërmjetëm që do të thotë është tek indeksi i ndërmjetëm që ne kemi me Bashkimin Europian. Eshtë një nga kushtet e negociatave, madje duhet të mbyllet brenda dhjetorit pikërisht ai projektligj. Dhe jemi plotësisht të gatshëm që së bashku ne ta shikojmë dhe ta bëjmë më të mirën për shoqërinë shqiptare”, iu përgjigj Toni Gogu opozitës.
Kur fjalën e mori i pari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, për të folur mbi kalendarin 3 javor të punimeve të kuvendit, ku parashikohen edhe raportimet e institucioneve të pavarura të mbartura prej legjislaturës së shkuar, opozita braktisi sallën.
Pas 120 minutash seancë, maxhoranca votoi e vetme. Ndërsa për kërkesën e PD për shkarkimin e Niko Peleshit, Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet brenda javës.