Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar do të ketë axhendë të ngjeshur dhe është parashikuar që të zhvillohet në 2 ditë, ndërsa për votim nesër do të kalojë dhe drafti i dakordësuar mes PD dhe PS për Reformën Zgjedhore.
Në rendin e ditës për seancën e sotme pritet të miratohen emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës.
Sot po ashtu pritet që të miratohet projektvendimin për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi.
Gjatë seancës së sotme plenare janë parashikuar të mbahen edhe dy interpelanca. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa do të zhvilloj interperlancë me ministrin eEkonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Po ashtu deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave Ervin Mete.
Në rendin e ditë është parashikuar edhe miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve të tjera që raportuan në Kuvend seancën e 18 korrikut.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar amendamentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon hapjen 100% të listave.
Basha shkruan se pasi i ekspozoi për amnistinë, sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe mbylljen e listave, koha i dha të drejtë. Sipas tij, Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.
Ai më tej ka dhe një mesazh për deputetët në Kuvend ku shprehet se nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës./shqiptarja.com