Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb ka qenë jokushtetuese, duke konstatuar shkelje të drejtpërdrejta të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Vendimi është marrë në rastin KO325/25, të iniciuar nga deputeti Igor Simiq së bashku me nëntë deputetë të tjerë. Me shumicë votash, Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme dhe vlerësoi se Vendimi i Kuvendit Nr. 09-V-071, i datës 10 tetor 2025, ka shkelur nenin 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 12, paragrafët 6 dhe 7 të Rregullores së Kuvendit.

Sipas arsyetimit, seanca e 10 tetorit 2025 ishte vazhdim i seancës konstitutive të nisur më 15 prill 2025, pas aktgjykimit paraprak KO265/25. Në këtë seancë, kryetari i Kuvendit ftoi shumicën e deputetëve të komunitetit serb të propozonin kandidatin për nënkryetar. Gjatë procesit u propozuan gjithsej nëntë kandidatë, por asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

Më pas, kryetari i Kuvendit kërkoi hedhjen në votim të deputetit Nenad Rashiq, edhe pse ky propozim ishte refuzuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Zgjedhja u krye përmes procedurës së shortit, duke rezultuar me 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime, çka çoi në përmbylljen e seancës konstitutive.

Gjykata Kushtetuese theksoi se e drejta e propozimit për nënkryetar nga komunitetet joshumicë i takon ekskluzivisht shumicës së deputetëve të atij komuniteti, dhe përbën një garanci kushtetuese për përfaqësim efektiv. Sipas saj, mekanizmat debllokues, përfshirë votimin e përsëritur apo shortin, mund të përdoren vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk mund të anashkalojnë këtë të drejtë themelore.

Në përfundim, Gjykata konstatoi se zgjedhja e Rashiqit nuk ka ardhur si rezultat i një propozimi kushtetues, por nga përdorimi i gabuar i mekanizmave debllokues. Megjithatë, për shkak të sigurisë juridike dhe stabilitetit institucional, aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues, ndërsa kërkesa për masë të përkohshme u refuzua njëzëri.

Burimi: RTKLive

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu