Policia australiane ka konfirmuar se 15 persona humbën jetën në sulmin e armatosur në Bondi Beach të Sidneit, ku moshat e viktimave variojnë nga 10 deri në 87 vjeç. Sulmi ndodhi gjatë festimeve të Hanukkah të komunitetit hebre dhe ka tronditur opinionin publik në Australi dhe më gjerë.

Mes viktimave ishte rabini Eli Schlanger, 41 vjeç, i lindur në Britani, i cili kishte ndihmuar në organizimin e aktivitetit dhe shërbente si ndihmës-rabin. Lajmi u konfirmua nga familja e tij për BBC, ndërsa organizata hebraike Chabad, që kishte organizuar ngjarjen, bëri të ditur se Schlanger ishte një figurë kyçe e komunitetit.

Po sipas Chabad, në sulm humbën jetën edhe Reuven Morrison, anëtar i komunitetit, si dhe rabini Yaakov Levitan, sekretar i Sydney Beth Din, një institucion fetar hebre.

Ndër viktimat ishte edhe Alex Kleytman, një i mbijetuar i Holokaustit, i cili kishte marrë pjesë në festim së bashku me fëmijët dhe nipërit e tij.

Autoritetet franceze konfirmuan gjithashtu vdekjen e shtetasit francez Dan Elkayam. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, shprehu ngushëllime për familjen e tij dhe solidaritet me komunitetin hebre dhe popullin australian.

Viktima më e re e sulmit ishte një vajzë 10-vjeçare, e identifikuar nga mediat lokale vetëm me emrin Matilda, me kërkesë të familjes për të ruajtur privatësinë. Në një faqe bamirësie të hapur për familjen e saj, mësuesja e përshkroi Matildën si “një fëmijë të ndritshëm, të gëzueshëm dhe plot jetë, që sillte dritë kudo ku shkonte”.

 

Një tjetër viktimë ishte Peter Meagher, ish-oficer policie dhe vullnetar në një klub lokal ragbi. Ai po punonte si fotograf i pavarur gjatë aktivitetit të Hanukkah, sipas deklaratës së Randwick Rugby Club.

Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa komuniteti në Sydney dhe në mbarë Australinë është zhytur në zi për humbjen e jetëve të pafajshme në një nga sulmet më të rënda të viteve të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu