Ana Dajko do të jetë e vetmja deputete e partisë “Shqipëria Bëhet” në legjislaturën e re që nis në shtator. 60-vjeçarja, e cila është nëna e anëtarit të kryesisë së partisë Vasil Dajko dhe tezja e kreut të saj Adriatik Lapaj, përfundoi si përfaqësuesja e vetme e kësaj force politike në Kuvend.

Emri i saj u përfshi në listën e mbyllur të qarkut Tiranë për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, të krijuar nga Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj. Strategjia e propozuar nga Lapaj parashikonte që kandidatët e listës së mbyllur të jepnin dorëheqje menjëherë pas zgjedhjeve, në mënyrë që mandati të kalonte tek kandidatët e listës së hapur me më shumë vota. Por pas votimeve të 11 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më pas Kolegji Zgjedhor shpallën dorëheqjet e listës së mbyllur të pavlefshme, duke e lënë mandatin e fituar në duart e Ana Dajkos.

Ky vendim ka sjellë përplasje të forta mes aleatëve të koalicionit. Fillimisht Lapaj ka pretenduar se mandati duhet t’i kalonte atij, më pas është shprehur se do ta merrte tezja Ana Dajko, ndërsa së fundmi ka kërkuar që në Kuvend të hyjë kushërira e tij, Kleana Xhuveli, vajza e tezes. Gjykatat, megjithatë, nuk i kanë pranuar këto pretendime dhe kanë vendosur që mandati t’i mbetet Ana Dajkos.

 

Përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Docaj, ka theksuar se dorëheqjet e kandidatëve të listës së mbyllur nuk kanë fuqi ligjore dhe se mandati i takon Ana Dajkos. “Nëse zonja Dajko nuk dëshiron të ushtrojë detyrën, mjafton të mos bëjë betimin në Kuvend dhe mandati do të kalojë sipas renditjes në listë,” deklaroi ajo.

Në këtë mënyrë, përplasjet e brendshme dhe ndryshimet e vazhdueshme të qëndrimeve nga ana e Lapajt kanë përfunduar duke lënë si përfaqësuese të vetme të “Shqipëria Bëhet” në Parlament pikërisht tezen e tij./Gazeta shqip

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu