Nga Indrit Vokshi
Nja 20 deputetë të PD, kanë akuzuar Fatmir Xhafën se ka vëllain trafikant. Askush nuk i ka paditur as dënuar.
Edhe ne, të gjithë së bashku, kemi thënë se Xhafa e ka vëllain e dënuar për drogë. Personalisht kam mbajtur fjalim me megafon para Ministrisë së Brendshme të Xhafës. Askush s’na ka paditur apo dënuar për kallzim të rremë.
Pse?
Sepse sjemi kapur në “çarkun e ligjit”. Nëse thua se Fatmir Xhafa e ka vëllain trafikant, askush s’ka çfarë të bën, pasi personi Agron Xhafa ka dënim zyrtar për trafik droge. Është fakt publik.
Dhe nuk është se këta “zbuluan” që Agron Xhafa është dënuar në Itali. Dënimi në Itali ka qenë i zbuluar prej në vitin 2012 kur deputeti i PD, Fatos Hoxha, nga Kuvendi, ka deklaruar se Xhafa e ka vëllain të dënuar për drogë. E mbaj mend unë.
Problemi ka qenë përfshirja në “operacionin” për të krijuar një përgjim (i cili doli inskenim) dhe një filmim sikur Agron Xhafa po trafikon drogë (i cili nuk doli i vërtetë), këto me qëllim për t’i publikuar në media. Këtu është thelbi, jo tek denoncimi publik se vëllai i ministrit Xhafa ka dënim për drogë, pasi siç shkruajta më lart ky denoncim është bërë qysh në 2012.
Këtu qëndron dallimi midis njerëzve të cilët kanë denoncuar Xhafën për vëlla trafikant dhe, njerëzve që janë përfshirë në “operacione” të cilat gjykata i ka faktuar si “prova të rreme”.
Nëse do të ishte çështje e “fjalës së lirë e demokratike” do të ishin dënuar edhe 20 deputetët e tjerë. Mirëpo është pak më ndryshe dhe, shumica e këtyre që flasin, mesa duket nuk e kanë lexuar vendimin e gjykatës.
Të gjithë e kanë ditur se Salianji do të dënohet pasi është zënë me turinj në çarkun e ligjit. Disa i kanë thënë rregulloje me Xhafën, disa nuk i kanë folur, pasi kanë menduar se është aq i mençur sa për ta kuptuar vetë. Ai çfarë bënte? Xhironte video para pallateve që përfliten si të “Klanit Xhafa”. Dmth Xhafa i cili e kishte në dorë ligjërisht, duhej të tërhiqej nga frika, jo me marrëveshje. Shkolla e vetme që njohin kadetët aguridhe të PD, është shkolla e atij atje lart, nuk kanë marrë leksione “jashtëshkollore”.
Unë dy pyetje kam: Kush e përdori, ketë deputet, qartazi amator në intrigë, për të krijuar një dosje për Xhafën? Kush i dha garanci se s’do të preket nga drejtësia? Sepse pavarësisht se çfarë thuhet, prej tabulateve telefonike të administruara, deputeti del i faktuar si bashkëpunëtor në atë procesin e krijimit të provave të rreme në funksion të provokimit të një procedimi penal. Kjo nuk është akuzë publike, është diçka më shumë sesa të akuzosh publikisht.
Pyetja tjetër:
Si ka mundësi një parti si PD, e cila ka emëruar dy herë shefin e Shërbimit Informativ, ka emëruar disa ministra të Brendshëm, prokurorë e gjyqtarë, shkon bie viktimë e atij Babales dhe Fredi Alizotit të cilët prodhojnë prova fallso për t’i marrë PD-së, 200 mijë eurot e premtuara? Si ka mundësi kaq paaftësi në intrigë? Si ka mundësi kaq të trashë? Gjysëm shpjegimi e kam; parti e cila beson se Siguria Kombëtare, garantohet me ish shefa komisariatesh që rrahin rob.
Pastaj ankohen jo na e rras Xhafa sepse është hetues i Enverit. Po afërmendsh, në botë jetojnë edhe hetues të Enverit edhe gjyqtarë të Enverit, sfida e gjithsecilit është të jetë më i avancuar se ata. Imagjinoni sa demode janë këta, saqë iu tremben hetuesve të kohës së Enverit kur sot, secili, mundet të jetë “hetues” më i avancuar e t’i tejkalojë ata. Jo, këta e kanë gozhdën mendore tek hetuesit e Enverit, pasi ushqehen me muhabete pleqsh të cilët flasin kafeve vetëm për hetuesira dhe episode të asaj kohe.
Një sqarim për mbyllje: Mund të shkruaja edhe unë se kjo është goditje ndaj fjalës së lirë, votës demokratike, parimeve universale etj. me qëllim për të qenë “korrekt” dhe “i pranueshëm” për formacionin e militantëve të PD.
Mirëpo po zgjedh t’iu them disa të vërteta më therëse. Së pari sepse ska asnjë vlerë tu shkosh pas avazit militantëve të PD, ata sot të shajnë, nesër të duan, siç fjalavjen, sot po “duan” atë të cilin dje e shanin ngaqë iu doli me shkop në dorë me 8 janar 2022.
Së dyti, këta meritojnë disa “shpulla turinjve” që të kthjellohen, pasi janë verbuar. Mendojnë se të bësh politikë, nënkupton vetëm të shash, të shpallësh besnikëri militante, të besosh teori konspirative dhe të presësh se pas këtyre, do të ndodhë diçka magjike.
Politikë nuk dmth vetëm britmë, sharje, gurë dhe hunj. Politikë d.m.th edhe zgjuarsi, dije, strategji, dinakëri, aftësi organizative e komunikuese, kredo publike e komunitare.
Këta më shumë sesa viktima të Ramës dhe Xhafës, janë viktima të paaftësisë së tyre në intrigë dhe politikë. Shkojnë i fusin turinjt tek çarku, pastaj ankohen pse na zu çarku i krimi, çarku i Enver Hoxhës. Ketë përdorin edhe për djegien e mandatave e bashkive, i dorëzuan vetë, pastaj ankoheshin, jo pse e shfrytëzoi Rama.
S’ka dyshim, Fatmir Xhafa ka shfrytëzuar çdo hapsirë ligjore për t’i goditur ata që i xhiruan videon dhe audion – dhe hapsirë ligjore ka pasur mjaftueshëm. Xhafa ska pranuar të jetë i mëshirshëm, ska pranuar ta falë apo ta mbyllin privatisht. I ka zënë keq e “në dëm”, dhe i ka goditur.
Këta të tjerët, PD, a ka mundësi të mos sillen si miusha e të mos shkojnë t’i fusni turinjt tek çarku e pastaj të ankohen pse na zu çarku? A ka mundësi të largohen pak nga patetizmi me regjime, diktatura, aranit çela dhe të fokusohen kah dija, zgjuarësia, organizimi, narrativa, kredoja, me qëllim për tu mëkëmbur?
Apo e kanë vendosur të shkojnë zvarrë për nja 10 vjet?/Tema