Irani po përjeton një valë të re protestash, vetëm pak muaj pas përfundimit të konfliktit të ashtuquajtur “lufta e dymbëdhjetë ditëve”, një moment kur shoqëria iraniane ishte rreshtuar pas qeverisë përballë përplasjes me Izraelin. Pyetja që shtrohet sot është: pse zemërimi po shpërthen pikërisht tani?

Sipas analizave të fundit, përgjigjja nuk lidhet vetëm me krizat e zakonshme politike apo me sanksionet ndërkombëtare, por me një strukturë të padukshme pushteti që prej vitesh kontrollon ekonominë dhe vendimmarrjen reale në Iran: oligarkët e Teheranit.

Si u krijua pushteti i oligarkëve

Gjatë dy dekadave të fundit, nën peshën e sanksioneve të OKB-së dhe Perëndimit, Irani zhvilloi mekanizma informalë për të shmangur kufizimet financiare. Fondet e besimit dhe rrjetet e ndërmjetësimit, shpesh të lidhura me familjarë të zyrtarëve të lartë, u shndërruan në kanale kyçe për eksportin e naftës dhe rikthimin e valutës në vend.

Me bekimin e heshtur të shtetit, këto rrjete u pasuruan masivisht, duke marrë nën kontroll importet, tregtinë e produkteve bazë, barnat, ushqimet dhe sektorin financiar. Me kalimin e viteve, qeveria kaloi nga kontrolluese në e varur nga këta oligarkë, të cilët sot përfitojnë komisione deri në 10% për çdo transferim valute nga eksportet e naftës.

Një “qeveri brenda qeverisë”

Sot, oligarkët nuk i japin llogari askujt. Ata kanë ndikuar drejtpërdrejt në largimin e zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Bankës Qendrore, duke vepruar si një strukturë paralele pushteti, jashtë çdo kontrolli institucional.

Ndërkohë, shoqëria iraniane përballet me një inflacion mbi 40% në vit, varfërim të klasës së mesme dhe mungesë totale perspektive, sidomos për brezin e ri.

Shkëndija e protestave

Pas luftës me Izraelin, qeveria tentoi të godiste oligarkët duke ndryshuar mekanizmat e këmbimit valutor. Por kjo masë u përkthye në zhvlerësim të monedhës kombëtare, duke rënduar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Protestat nisën në Mashhad dhe u përhapën në qytete të tjera. Në disa raste, qytetarët hodhën simbolikisht ndihmat ushqimore të qeverisë, duke refuzuar subvencione minimale që nuk zgjidhin krizën strukturore.

Pa opozitë, pa dialog

Forcat pro-demokratike janë ose të burgosura, ose në mërgim, pas represionit që pasoi lëvizjen “Grua, Jetë, Liri”. Në këtë boshllëk politik, monarkistët janë e vetmja zë opozitare e organizuar, sidomos mes të rinjve që nuk kanë njohur kurrë një Iran pa sanksione.

Irani ndodhet sot përballë një pike kthese: një shoqëri e varfëruar, një regjim i dobësuar dhe një elitë ekonomike që kontrollon çelësat e pushtetit real. Çfarëdo që të ndodhë, vendi po hyn në një fazë të re politike dhe shoqërore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu