500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së përpunimit në Elbasan janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës pa arsye zyrtare për pezullimin. Mësohet firma turke Kurum ka mbyllur aktivitetin e saj me pretendimin se është në proces remonti.
Nga data 1 gusht, uzina e çelikut ka ndaluar punën, dhe nga data 20 gusht do të mbyllet edhe uzina e përpunimit.
Ende nuk është bërë e ditur se cila është arsyeja e saktë për mbylljen, nëse ka të bëjë me probleme të mbetjeve toksike ose ndonjë arsye tjetër.
Pas mbylljes së uzinave, 500 familje në Elbasan do të mbeten pa të ardhura nga 20 gushti.
Deri tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim nga drejtuesit e Kurum për vendimin e marrë, megjithëse zyrtarisht thuhet se mbyllja e aktivitetit është për shkak të remontit.
Kujtojmë se kompania “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global, sipas dëshmive dhe dokumenteve të publikuara nga BIRN.
Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Me qindra punëtorë në bordero, ajo është gjithashtu një punëdhënës i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit./ CNA