
Kanë kaluar 40 ditë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, ndërsa rezultatet ende nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të procesit të ankesave që pritet të përfundojë së shpejti.
Në këtë situatë, kryeministri në detyrë dhe kandidati fitues për një mandat të ri, Albin Kurti, ka folur për hapat drejt formimit të qeverisë së ardhshme. Ai bëri të ditur se kabineti do të përfshijë shumë nga emrat e prezantuar më herët bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, por theksoi se përbërja nuk do të jetë identike dhe se do të ketë edhe figura të reja.
Sipas analistit politik Zejnullah Jakupi, dikasteret kyçe si Financat, Punët e Brendshme, Drejtësia dhe Mbrojtja pritet të reflektojnë vazhdimësi dhe kontroll të fortë qeverisës. Ai thekson se ndryshimet eventuale do të kenë më shumë karakter korrektues sesa transformues, duke synuar rritjen e efikasitetit institucional.
Jakupi parashikon një qeveri që do të kombinojë kontinuitetin me rikalibrimin funksional, ndërsa qasja ndaj dialogut me Serbinë dhe politikës së jashtme pritet të mbetet e pandryshuar, pasi këto procese vazhdojnë të jenë të centralizuara te kryeministri.
Analisti nënvizon gjithashtu se modeli i qeverisjes së Kurtit karakterizohet nga disiplinë e lartë politike dhe autonomi e kufizuar e ministrave, të cilët funksionojnë kryesisht si zbatues të programit qeverisës. Në këtë kuadër, edhe nëse emrat ndryshojnë, filozofia e drejtimit pritet të mbetet e njëjtë, me fokus te sundimi i ligjit, forcimi i shtetit dhe stabiliteti financiar.






