Kryeministri Albin Kurti, nuk është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

yacht hotel sarande

Ajo ka shtuar se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.

“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, ka thënë Kozmaqi.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri vizitën jashtë vendit e ka pasur në agjende dhe të konfirmuar më herët.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë”, është shprehur Kryeziu.

Ai ka thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i presë në zyrë prokurorët e rastit.

“Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeziu.

Kryeministri Kurti, ishte ftuar nga Prokurorinë Speciale të paraqitet sot në orën 09:30 në cilësinë e dëshmitarit.

Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës.

Pasi mori pjesë në lansimin e “Projektit për forcim të qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, të enjten e javës së kaluar, një ditë pasi e mori ftesën e Prokurorisë, Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përkitazi me këtë çështje.

“Jam me nxitim njëherë sot”, ka thënë shkurt Kurti.

Bazuar në informacione jozyrtare, kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar në rastin për keqpërdorim të rezervës shtetërore.

Ditë më parë Mahmut Halimi, avokat i Ridvan Muharremit, i akuzuar në këtë rast, nuk e ka konfirmuar këtë.

Ai ka vënë në pikëpyetje bazën ligjore për ftesën eventuale të kryeministrit Kurti në këtë rast, pas vendimit të Apelit për të liruar nga paraburgimi të akuzuarin që e mbron.

“Po më çudit kur gjykata e instancës më të lartë konstaton se nuk ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepër penale, nuk është ofruar nga prokuroria prova për dyshimin e bazuar, qysh do me vazhdu procedurën”, ka thënë avokati Halimi./Koha Ditore

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu