Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë, por i ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë në zyrën e tij. Nga Gjilani ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdheje, Kurti tha se Prokuroria po e sulmon Qeverinë.

Sipas Kurtit, ka pasur raste më parë kur “hetuesit kanë ardhur në zyrën e kryeministrit, edhe madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe të pandehur”.

“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj…Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit…S’ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, ka thënë Kurti.

 

Kryeministri ka shtuar se Prokuroria po e keqpërdor lirinë dhe po e lufton Qeverinë, e jo krimin e korrupsionit.

“Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një prokuror që ka synim dëshminë e një dëshmitari, ajo nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humbi Prokuroria 3 muaj. Për bindjen time është e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë s’ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, ka shtuar ai.

Ndërkohë Prokuroria Speciale ka njoftuar se pas mosparaqitjes së kryeministrit Kurti për dëshmi, do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.

 

Kurti nuk paraqitet në Prokurori, pavarësisht urdhrit nga Gjykata

Ora 10:00 ishte koha kur kryeministri Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar mbi çështjen e rezervave shtetërore. Por, ai s’e ka bërë këtë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka urdhëruar Kurtin që të martën (4 shkurt) në orën 10:00 të paraqitej në cilësinë e dëshmitarit, por Kurti, sipas agjendës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë orë do të marrë pjesë në vënien e gurit themeltar të çerdhes së re në Gjilan.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, do të vendosin gurin themeltar të çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurit themeltar bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti është i gatshëm të dëshmojë, por jo në ambientet e Prokurorisë. Ai i kishte ftuar prokurorët në zyrën e tij, me arsyetimin që edhe paraardhësit e tij janë intervistuar në këtë formë.

Në thirrjen e dhjetorit për paraqitjen e Kurtit në Prokurori thuhej se nëse refuzohet dhënia e dëshmisë pa arsyetim ligjor, ai mund të dënohet me gjobë, e nëse refuzohet shkuarja edhe pas gjobës, mund të paraburgoset./Koka

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu