Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, reagoi lidhur me vendimin e Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Ai deklaroi se arsyeja kryesore lidhet me mbylljen e strukturave ilegale serbe në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë,” tha Kurti.

Ai theksoi se raporti Kosovë–SHBA është tridimensional, duke u bazuar në: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Sipas tij, në dy shtyllat e para nuk ka probleme, por në diplomaci ekzistojnë “pengesa”.

“SHBA e konsideron shumë të rëndësishme ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën. Ne jemi të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial. Disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë mjaftueshëm SHBA-në në këtë drejtim. Por sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im,” u shpreh Kurti.

Më 12 shtator, Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi për pezullimin e Dialogut, duke arsyetuar vendimin me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në veri, si dhe me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite,” theksohej në njoftim.

Kurti nga SHBA deklaroi gjithashtu se nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, “nga frika se mund të dënohet nga Brukseli apo Uashingtoni”.

“U dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem, për shkak të paraardhësve të mi që nuk kanë qenë normalë,” tha ai.

Kurti shtoi se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime në taktika dhe veprime, por jo në vlera, interesa dhe parime.

Vitit e kaluar, qeveria në Prishtinë nisi mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, një veprim që është përballur me kritika nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA-në. Së fundmi është pezulluar edhe puna e Fondeve për Sigurim Shëndetësor, Invalidor dhe Pensional, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu