
Gjatë fjalimit në akademinë përkujtimore për Epopenë e UÇK-së, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, luftërat nuk i takojnë veç të kaluarës, dhe ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian.
“Në kohën kur shtetet e kontinentit tonë, po investojmë më shumë në pajisje dhe përgatitje ushtarake, edhe ne në Kosovë, që luftën e përjetuam, e mbijetuam në të shkuarën e afërt dhe që rrezikun e një agresioni të hapur ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë, po punojmë për pajisjen e FSK-së me armatim modern dhe stërvitjen e saj, sipas artit bashkëkohor ushtarak. Në 4 vitet e fundit e kemi përmbushur kërkesën e NATO-s për dedikimin e së paku 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtjen. Kemi investuar 319 milion euro për armatim bashkëkohor siç janë dronët “Bayraktar”, sistemet antitank “Javelin”, tregoi tutje ai.
Kurti shtoi se FSK dhe forcat tjera të sigurisë së vendit kanë moral të lartë, sepse marrin frymëzim të pashtershëm nga shembulli i luftës çlirimtare.
Më tej ai tha se përpjekja për sigurinë dhe paqen do të vazhdojë me investimet në siguri, me aleancën e palëkundur me vendet demokratike, SHBA-të, vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë e të tjera, e me bashkëpunimin, sidomos me Shqipërinë./RTV21