Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, gjatë mbledhjes së radhës të kabinetit në detyrë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se buxheti për vitin 2026 kap vlerën mbi katër miliardë euro. Ai shtoi se ky buxhet parashikon rritjen e pagës bazë për çdo vit përvojë pune dhe përfshin edhe pagën e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

“Buxheti për vitin 2026 përfshin rritjen e pensioneve, shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për kulturën, sportin, ndërmarrësit dhe sektorin privat, si dhe investime të tjera. Ky buxhet siguron qëndrueshmërinë e shtetit tonë”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi gjithashtu se miratimi i buxhetit është një detyrim ligjor dhe se Kuvendi duhet ta miratojë para zgjedhjeve.

Pas deklarimit të Kurtit, qeveria në detyrë miratoi zyrtarisht Projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

Reagimi i opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, reagoi pas vendimit duke kritikuar qeverinë në detyrë. Ai tha se “thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, s’mundet të rikthejë besimin e humbur te qytetarët, as të blejë vota për balotazh apo zgjedhje parlamentare”.

Krasniqi shtoi se të gjitha përfitimet e paralajmëruara do të realizohen me qeverinë e ardhshme, “pa Albin Kurtin dhe pa Vetëvendosjen”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu