
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje bashkatdhetarëve në Gjermani që nga tani e tutje të drejtohen në qendrat e regjistrimit civil për t’u regjistruar ose për të përmirësuar statusin e tyre shtetësor.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë mbledhjes së Qeverisë më 12 mars 2025, pas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Gjermani një ditë më parë se ishte tejkaluar problemi i regjistrimit automatik të bashkatdhetarëve si shtetas serbë – një çështje që kishte mbetur e pazgjidhur për më shumë se 17 vite.
“Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, por kjo praktikë nga sot nuk do të përsëritet më”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se tashmë është nënshkruar një udhëzim i ri, i cili ka hyrë në fuqi në të 16 landet e Gjermanisë.
Ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, më 11 mars 2025 njoftoi se, pas komunikimit me institucionet gjermane, është arritur të eliminohet ky problem me të cilin bashkatdhetarët janë përballur për vite me radhë. Ai bëri të ditur përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook se jo vetëm në 16 landet gjermane, por edhe në mbi 5,200 qendra të regjistrimit civil në Gjermani është shpërndarë një qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme, duke informuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës.
Në vitin 2024, diaspora shqiptare në Gjermani, përmes Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg, i kishte drejtuar një kërkesë kancelarit Olaf Scholz për ndryshimin e Ligjit për Shtetësinë, duke kërkuar heqjen e regjistrimit automatik si shtetas serbë për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.