
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit sonte në mbrëmje, duke e cilësuar situatën si kritike për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.
Sipas Kurtit, kontrasti i madh i temperaturave dhe parashikimet për ulje deri në –9°C rrisin ndjeshëm rrezikun në rrugë, pasi sipërfaqet e lagura nga shiu pritet të ngrijnë gjatë natës. Ai bëri të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren dhe po punojnë vazhdimisht për të lehtësuar qarkullimin.
Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit për sezonin dimëror, duke u kujtuar drejtuesve të mjeteve që automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Njëkohësisht, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet gjatë natës, përveç rasteve kur janë të domosdoshme, dhe në çdo rast të vozisin me kujdes të shtuar, duke iu përshtatur kushteve atmosferike.
“Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë, andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme”, përfundon mesazhi i Kryeministrit Kurti drejtuar qytetarëve.






