Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh në platformën “X” ku ka përmendur fjalimin e tij para komunitetit të Harvardit në një ngjarje të organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.
Në këtë fjalim, Kurti ka diskutuar lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se Serbia po kërkon krijimin e tij pa e njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se një Asociacion i tillë, nëse do t’i jepej fuqi ekzekutive, do të rrezikonte Kushtetutën e Kosovës duke marrë kompetenca nga qeveria apo komunat.
Në një video të publikuar, Kurti u shpreh për përkushtimin e qeverisë së tij për të dëgjuar kërkesat e komuniteteve pakicë dhe për të shqyrtuar këto kërkesa bazuar në ndikimin e tyre tek qytetarët e zakonshëm dhe në bazën ligjore që i mbron.
“Ndërsa rritemi dhe përparojmë, do të mbetemi besnikë ndaj mbrojtjeve të përcaktuara në Kushtetutën tonë,” theksoi ai.
Kurti gjithashtu foli për rëndësinë e mbrojtjes së kishave dhe manastireve ortodokse, të cilat gëzojnë zona mbrojtëse të posaçme që variojnë nga dhjetëra deri në mijëra hektarë.
Ai nënvizoi se çdo kërkesë për Asociacionin do të kërkonte një shtresë qeverisjeje që nuk është e parashikuar ligjërisht për të ofruar mbrojtjet e nevojshme, të cilat rendi aktual tashmë i ofron./Telegrafi/