Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur zyrtarisht fushatën elektorale, me një tubim përmbyllës ku u bë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për numrin 116.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, vlerësoi arritjet gjatë qeverisjes së tij, duke theksuar rritjen ekonomike të vendit nga 7 miliardë euro në 11 miliardë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet të arrijë në 12 miliardë euro.

Kurti deklaroi se ekonomia e Kosovës është rritur me rreth 1 miliard euro çdo vit, tri herë më shpejt se qeveritë e mëparshme, ndërsa punësimi, sipas tij, është rritur pesë herë më shpejt.

“Para nesh, në vitin 2018, nuk kishte krizë dhe rritja ekonomike ishte më pak se 4 për qind. Ne e kemi gjetur ekonominë e Kosovës me 7 miliardë euro, sivjet është 11 miliardë dhe vitin e ardhshëm 12 miliardë. Ata kanë pasur nevojë për tri vjet për një miliard rritje, ndërsa ne jemi trefish më të shpejtë. Sa i përket punësimit, jemi pesëfish më të shpejtë, me 85 mijë vende pune më shumë, ose 24 për qind rritje krahasuar me vitin 2021”, u shpreh Kurti.

Ai paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të ndajë 1 miliard euro për prodhimtarinë, ku shteti do të shërbejë si garanci hipotekore për investimet e qytetarëve dhe bizneseve. Po ashtu, u njoftua edhe një fond prej 1 miliard euro garanci kredie, me synimin që ndërmarrësit të mos detyrohen të vendosin pasuritë familjare si kolateral në banka.

Në fjalën e tij, Kurti konfirmoi gjithashtu 1 miliard euro investime për ushtrinë, duke theksuar se është dyfishuar numri i ushtarëve dhe janë shtuar kapacitetet ajrore me tre lloje dronësh, ndërsa i katërti pritet të jetë prodhim vendor, “Made in Kosova”.

Në përmbyllje, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin Vetëvendosjen për, siç u shpreh ai, “një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për Kosovën”.

Tag:
Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, zgjedhjet Kosovë 2025, fushata elektorale, ekonomia e Kosovës, investime, ushtria e Kosovës, dronë, punësimi, prodhimtaria

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu