
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënime me nga 45 vite burg për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të shkëputur nga realiteti historik.
Në reagimin e tij, Kurti thekson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe mbrojtëse, e zhvilluar në kushte okupimi dhe dhune shtetërore. Sipas tij, çdo përpjekje për ta trajtuar këtë luftë jashtë kontekstit politik dhe historik rrezikon të deformojë të vërtetën mbi luftën çlirimtare të Kosovës.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse,” shkruan Kurti.
Ai shton se Kosova nuk ka pasur kurrë plan për shfarosjen e ndonjë populli apo civilësh, ndërsa kërkesa për dënime, sipas tij, nuk mbështetet në standarde të pranuara ndërkombëtare.
“Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik,” thekson ai.
Kurti nënvizon se institucionet e Kosovës do të vijojnë të mbrojnë “të vërtetën faktike e historike” dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.
Reagimi vjen në një moment kyç të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria ka kërkuar dënime të rënda për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët i kanë hedhur poshtë akuzat.






