
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sot lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Bordi i Paqes, duke theksuar se Prishtina zyrtare synon të ketë një rol aktiv në mekanizmat ndërkombëtarë të paqes dhe sigurisë. Kurti tha se angazhimi i Kosovës ka nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe se, si hap i radhës, vendi është interesuar të bëhet pjesë edhe e strukturave politike vendimmarrëse të kësaj force.
Sipas Kurtit, Kosova është përfaqësuar në Doha të Katarit nga gjeneral-lejtënanti i FSK-së, Bekim Jashari, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar me kapacitetet e saj në fusha si kërkim-shpëtimi dhe deminimi. “Kudo që ka nevojë për paqe në botë, Kosova dëshiron të marrë pjesë. Ne kemi qenë përfitues të paqes përmes forcave ndërkombëtare dhe tani duam të kontribuojmë edhe vetë në vende të ndryshme të botës”, u shpreh Kurti para mediave. Ai rikujtoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës ka ndarë më herët 500 mijë euro ndihmë për Gazën, duke e cilësuar këtë si pjesë të angazhimit konkret të vendit për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar.



