Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija me ndihma humanitare të Qeverisë së Kosovës për popullin e Gazës është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti bëri të ditur se vlera e ndihmës humanitare arrin në 500 mijë euro, ndërsa paketa përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe rreth 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë për banorët e Gazës që po përballen me një situatë të rëndë humanitare.

Sipas kryeministrit, edhe pse vendimi për dërgimin e ndihmave ishte marrë që në muajin janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, e arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza”, shkruan Kurti.

Ai thekson se Qeveria e Kosovës është e para që arrin të dërgojë një ndihmë të tillë për Gazën, duke shprehur shpresën se kjo mbështetje, sado modeste, do të kontribuojë në lehtësimin e vuajtjeve të popullsisë civile dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në realizimin e këtij operacioni humanitar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu