
Skiatorja amerikane Lindsey Vonn po përjeton një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, pasi humbi qenin e saj Leo ndërsa ndodhej në spital pas aksidentit në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Leo, 13 vjeç, ndërroi jetë më 9 shkurt, një ditë pasi kampionia amerikane u dëmtua gjatë zbritjes në pistën Olympia delle Tofane në Cortina d’Ampezzo.
Në një postim prekës në Instagram, Vonn shkroi:
“Janë ditët më të vështira të jetës sime. Ndoshta më të vështirat ndonjëherë. Nuk e kam pranuar ende që ai është larguar.”
Skiatorja u kthye në Shtetet e Bashkuara pas katër ndërhyrjeve kirurgjikale në Treviso. Ajo tregoi se e mori lajmin ndërsa ishte e shtrirë në shtratin e spitalit.
“E humba kaq shumë gjëra të rëndësishme për mua në një kohë kaq të shkurtër. Nuk mund ta besoj”, u shpreh ajo.
Sëmundja e Leos
Leo kishte kaluar një limfomë më shumë se një vit më parë, por së fundmi ishte diagnostikuar me tumor në mushkëri, që i kishte shkaktuar edhe probleme në zemër. Sipas Vonn, gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe trupi i tij nuk arrinte më të përballonte sëmundjen.
“Sofrinte dhe trupi i tij nuk arrinte më të mbante ritmin e mendjes së tij të fortë”, shkroi ajo, duke nënkuptuar se vendimi për ta lënë të largohej ishte i dhimbshëm, por i pashmangshëm.
Vonn kujtoi se Leo kishte qenë gjithmonë pranë saj në momentet më të vështira, përfshirë edhe gjatë një dëmtimi të mëparshëm dhe gjatë Olimpiadës së Soçit.
Tashmë, ajo përballet me një tjetër ndërhyrje kirurgjikale dhe ka thënë se do ta mendojë Leon “sa herë që do të mbyllë sytë”.
Një histori që rikujton se humbja e një kafshe shtëpiake shpesh përjetohet si humbja e një anëtari të familjes.






