NGA KLODIAN ZHIVANI

Kur je gazetar terreni, nuk mjafton vetëm të shohësh e të raportosh. Duhet të rezistosh!
Të mbash brenda vetes gjithçka sheh, gjithçka dëgjon, gjithçka që ndjen. Kjo është ndoshta barra më e rëndë e profesionit tonë: ngarkesa emocionale që nuk të lëshon, që të ndjek edhe pasi mbyll raportimin, edhe kur dorëzon mikrofonin.

Këto tre ditë në Theth kanë qenë ndër më të vështirat për mua dhe për çdo koleg. Skenat e fëmijëve që qanin, britmat e nënave e gjysheve, burrat që përgjeroheshin, nuk harrohen.
Nuk të ikin nga mendja, as nga ndërgjegjja.

Sot, në ditën e katërt, në Shkodër, mendova se do të ishte më e lehtë. Por jo.
Sot mësova se te Klodiani, 23 vjeç, i rikthyer nga emigracioni në Itali, me shpresë, me ëndrra, me borxhe, kanë zbarkuar fadromat e IKMT-së.
Kishte ndërtuar një shtëpizë druri në Theth. E ndërtuar me shumë mund, me kredi, me sakrifica të gjithë familjes. Fadroma ka mbërritur sot te shtëpiza e tij.

E takuam ditën e dytë të aksionit. Ishte ai djali që na preku të gjithëve: i hijshëm, i qetë, i edukuar, por i lodhur. I rrallë në llojin e tij!
Na kërkoi ndihmë. Me shumë dinjitet e fisnikëri, si të ishte një burrë i vjetër malësor:
“60 mijë euro gjobë nga shteti për shtëpizën. 35 mijë i morëm me kredi bashkë me babain dhe vëllain. Jam 95 mijë euro borxh. Tani do të më shembin edhe shtëpizën, edhe një bar të vogël mes pishave, për të cilin kam paguar taksa në Tatime dhe Bashki, si dhe kontributet për vëllain që punon atje prej dy vitesh. Nuk kam beton, kam vetëm dru e pisha.”

Gjashtë muaj kishte trokitur në dyert e bashkisë për një leje që nuk e mori kurrë. Por nga ekrani dëgjoi një thirrje:
“Kthehuni emigrantë dhe investoni në vendin tuaj!”
Dhe u kthye. Ashtu si shumë të tjerë.

Të gjithë janë të vetëdijshëm që ndërtimet janë pa leje. Por ata vepruan me shpresë. Sepse nuk u la asnjë zgjidhje tjetër. Sepse panë të tjerë që ndërtuan dhe më pas morën certifikata pronësie.

Sot, Klodiani po mbledh valixhet sepse fadromat i kanë mbërritur. Po largohet sërish drejt Italisë. Me një shtëpizë të shembur dhe një borxh të madh mbi supe.
Sot është ai që po ikën. Nesër do të jenë Arjani, Fatmiri, Gjergji, Çesku…
Të gjithë ata djem të rinj që, në vend që të largoheshin, guxuan. U hodhën me shpirt e me zemër në borxhe, dhe i dhanë jetë një Thethi që shteti e kishte braktisur.

Ata nuk kërkojnë favore. Nuk kërkojnë mëshirë.
Kërkojnë vetëm një model.
Vetëm një rrugë të ndershme për të investuar.
Vetëm një mundësi për të pritur turistë me dinjitet.
Vetëm një shembull nga shteti.
Vetëm një!

P.S. Jam totalisht dakord se Thethi është tjetërsuar e shëmtuar nga ndërtimet skandaloze.
Jam totalisht dakord edhe për aksionin që sot ka pasoja të rënda, por nesër, nëse veprohet drejt, do të ketë shumë më të mira.
Jam totalisht dakord që edhe pse është toka jote, nuk mund të bësh çfarë të duash, sepse është zonë e mbrojtur.

Por kurrsesi nuk jam dakord me tolerimin apo edhe “mbështetjen” që i është bërë banorëve gjatë fushatës elektorale, duke i lejuar hapur të ndërtojnë.
Dhe nuk jam kurrsesi dakord me kohën kur po bëhet aksioni. Në mes të sezonit turistik, duke terrorizuar banorë e turistë.
Rreth 3000 anulime rezervimesh ka vetëm në këto 4 ditë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu