
Papa Françesku më 21 shtator 2014 vizitoi Tiranën, përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste, kremtoi Meshën dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë
R.SH. – Vatikan
Ka ditë të pashlyeshme në historinë e një populli. Janë ditë, që përbëjnë gurë kilometrikë për të dhe shpesh, hapin udhë të reja. I tillë, mund të themi, qe edhe 21 shtatori i vitit 2014, kur Papa Françesku vendosi papritmas të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.
Papa Bergoglio shkonte në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist. E Papa argjentinas trokiste në dyert e vendit në skaj të Evropës, për të përqafuar popullin e sprovuar, për të përforcuar në fe bashkësinë e vogël katolike, për të mbështetur dialogun ndërmjet feve, por edhe për ta inkurajuar gjithë popullin të ecte në udhën e demokracisë.
Papa nё Pallatin e Prezidencёs nё Tiranё me Presidentin e Shqipёrisё Bujar Nishani
Sapo mbërriti, atë 21 shtator 2014, Papa Bergoglio u mahnit nga të rinjtë, që e pritën me dashuri të jashtëzakonshme, siç pati deklaruar atë Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i vetë Papës. E ndoqën kudo, nga aeroporti tek Presidenca e Shqipёrisё, nga Sheshi Nënë Tereza në Universitetin Katolik; nga Kisha Katedrale e Shën Palit në Qendrën Betania. Së bashku me të rinjtë, pamje e njerëz të tjerë: krerët fetarë, autoritetet e krerët e shoqërisë, shqiponja, martirët, përqafimi me dy të mbijetuarit e komunizmit, don Ernest Simoni (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaleta. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania, ku murgeshat kujdesen edhe sot për nevojtarët e, shumë e shumë të tjerë.
![]()
Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta që në fjalimin e parë për autoritetet, në pallatin presidencial. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.
Bashkëjetesë e dialog, që sot, u pati shpjeguar krerëve fetarë, kanë nevojë për dy qëndrime: “Ta shohim çdo burrë e çdo grua si vëlla e si motër” dhe të punojmë me përkushtim “për të mirën e përbashkët”. Sepse “sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë!” E Ati i Shenjtë ftoi të plotësohen “nevojat e të varfërve”. Fjalë, që u bënë jehonë atyre për autoritetet: “Globalizimit të tregjeve duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit”.
![]()
Ndërsa në Qendrën Betania, nënvizoi: “E mira të shpërblen pafundësisht më shumë se paratë, të cilat zhgënjejnë”. Fjalë, jashtëzakonisht të rëndësishme për atdheun e shqiponjave, gjithnjë e më i kërcënuar nga relativizmi dhe individualizmi, edhe sot, pas 6 vitesh, siç denoncojnë vazhdimisht ipeshkvijtë vendas, që shpesh, vënë në dukje të këqijat e vjetra dhe të reja: korrupsioni, çekuilibrimi shoqëror, sulmet ndaj institucionit të familjes…
![]()
Megjithatë, jo gjithçka është “zi”. Jo për një vend, që ka shqiponjën në flamur. Kjo shqiponjë, sugjeroi Papa Françesku gjatë Meshës në Sheshin Nënë Tereza, “t’ju kujtojë shpresën”. Ajo “nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart!” edhe ju, u tha Ati i Shenjtë shqiptarëve. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua veçanërisht të rinjve: “Thonë se Shqipëria është vendi më i ri në Evropë, prandaj po ju drejtohem juve. Ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, e ardhmja e atdheut. Mësoni t’i thoni ‘jo’ idhujtarisë së parasë, ‘jo’ lirisë së rreme individualiste, ‘jo’ varësive dhe dhunës; përkundrazi, t’i thoni ‘po’ kulturës së takimit dhe të solidaritetit. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë”. Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve.
Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Shqipëria – tha Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”. E dinin mirë don Ernesti e motër Maria, që i treguan Papës historinë e tyre të persekutimit, para lutjeve mbrëmësore në katedralen e kryeqytetit. Lotët e Atit të Shenjtë, menjëherë pas dëshmisë së tyre, prekën edhe zemrat e të pranishmëve, por jo vetëm kaq. Papa Françesku la mënjanë fjalën e shkruar e foli pa letër. “Ky popull – pohoi – i ka të gjallë në kujtesë martirët e vet”. E, duke iu drejtuar dy të mbijetuarve: “Më falni, që po ju përdor sot si shembull, por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri-tjetrin. Le të shkojmë në shtëpi, duke menduar se vërtet, sot, kemi prekur martirë”. Pamje simbolike, që mbylli ditën historike, përjetuar nga Shqipëria, dikur, simbol i ateizmit komunist e tani, vizituar nga dy Papë./Vatican news, artikull i vitit 2014







