Një ngjarje me nota të forta kurioziteti dhe shqetësimi profesional po vjen nga Prizreni, por mund të prekë interesin edhe të publikut shqiptar në Tiranë: Një mjek gjinekolog është vënë përballë drejtësisë pasi dyshohet se ka detyruar një paciente të lindë në një spital privat, ku vetë ai punon, duke anashkaluar Spitalin Publik ku ajo ndiqej prej muajsh.

Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, mjeku S.Gj., në janar të vitit 2022, duke shfrytëzuar detyrën si gjinekolog në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit, ka refuzuar t’i kryejë lindjen me operacion pacientes G.B., duke i sugjeruar që ndërhyrja të bëhej në një klinikë private në Prishtinë – pikërisht atje ku ai vetë ushtron edhe profesionin paralelisht.

Arsyetimi i mjekut? Se në repartin ku duhej të kryhej lindja kishte raste me Covid-19. Por sipas aktakuzës, kjo rezultoi të ishte një manovër për ta orientuar pacientin drejt spitalit privat, duke përfituar personalisht dhe duke i shkaktuar çiftit G.B. dhe J.B. një dëm financiar prej 1,500 eurosh.

Ironikisht, të gjitha kontrollet para lindjes ishin kryer në spitalin publik dhe në klinikën private të të njëjtit mjek në Prizren. Në fund, ai vetë e realizoi operacionin, por në klinikën në Prishtinë.

Prokuroria e ka ngarkuar të pandehurin me akuzën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kërkon nga gjykata ta shpallë fajtor e ta dënojë sipas ligjit.

Ky rast hap diskutimin edhe në Shqipëri për konfliktet e mundshme të interesit në sistemin shëndetësor publik-privat, ku ndonjëherë pacientët ndihen të detyruar të ndjekin rrugën më të shtrenjtë, jo domosdoshmërisht më të mirë – thjesht sepse “doktorin e tyre” nuk e gjejnë më në shtet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu