
Një rast i pazakontë në Stamboll po bën xhiron e mediave turke dhe rrjeteve sociale: një burrë ka pranuar të paguajë “pension ushqimor” për dy macet e tij pas ndarjes me bashkëshorten, duke u bërë ndoshta rasti i parë i tillë në historinë ligjore të Turqisë.
Sipas raportimeve të Bianet dhe Turkey Today, çifti Buğra B. dhe Ezgi B., pas një martese disavjeçare, përfunduan procesin e divorcit me një marrëveshje që përfshin jo vetëm ndarjen e pasurisë, por edhe kujdesin ndaj dy maceve të tyre, Piraye dhe Cingöz.
Në bazë të marrëveshjes, ish-bashkëshorti ka rënë dakord të paguajë 10 mijë lira turke (rreth 330 dollarë) çdo tre muaj për shpenzimet e maceve — për një periudhë 10-vjeçare, ose derisa ato të jenë gjallë. Pagesat do të rregullohen sipas inflacionit, ndërsa kujdestaria e maceve i është dhënë ish-bashkëshortes, e cila gjithashtu përfiton 550 mijë lira kompensim financiar.
Avokatët që kanë ndjekur çështjen e kanë cilësuar marrëveshjen si një “precedent të rrallë” në të drejtën familjare turke, duke theksuar se kafshët shtëpiake zakonisht trajtohen si pasuri e lëvizshme, jo si subjekte që mund të kenë kujdes ligjor apo mbështetje financiare të veçantë.
Sipas ligjit turk për mbrojtjen e kafshëve (No. 5199), kafshët konsiderohen “qenie të gjalla që ndiejnë”, por deri tani nuk kishte pasur një rast ku një gjykatë ose marrëveshje divorce të parashikonte detyrime financiare për mirëqenien e tyre.
Ky vendim po shihet si një hap drejt modernizimit të qasjes ligjore ndaj kafshëve shtëpiake, në një vend ku kujdesi ndaj maceve ka një traditë të thellë kulturore. Në Stamboll, macet janë simbol i përditshmërisë urbane – pjesë e rrugëve, lokaleve dhe lagjeve, të dashura e të ushqyera nga komuniteti.
Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë reaguar me humor, por edhe me simpati për rastin. “Dashuria mbaroi, por përgjegjësia mbeti”, shkruan një komentues turk, ndërsa një tjetër shton: “Macet fituan divorcin.”
Ky mund të jetë vetëm fillimi i një debati të ri në Turqi – e ndoshta edhe në vende të tjera – për të drejtat e kafshëve shtëpiake në rastet e ndarjes apo prishjes së marrëdhënieve familjare.