Pavarësisht viteve të tëra thatësirë, kultivuesit dhe prodhuesit spanjollë të vajit të ullirit, po përgatiten për një sezon shumë të mirë. Por tashmë ata janë të shqetësuar nga kërcënimet për tarifa të Presidentit amerikan Donald Trump. Spanja është një nga prodhuesit më të mëdhenj të vajit të ullirit në botë dhe Bashkimi Evropian thotë se dy të tretat e eksporteve të saj të vajit të ullirit, prodhohen në këtë vend.

Benito Aviles nga Malaga, pret që ky sezon të jetë ndër më të mirët për ullishten e tij.

Ai thotë se prodhimi dhe cilësia e të korrave të tij të fundit është rritur, por ai dhe kultivuesit e tjerë spanjollë të ullirit, janë të shqetësuar nga mundësia e vendosjes së tarifave nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve të tyre.

Aviles dhe prodhuesit e tjerë shpresojnë se qeveria spanjolle do të jetë në gjendje të negociojë me administratën amerikane të Presidentit Donald Trump që të shmangin taksat e eksportit.

Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 30 deri 44 për qind ndaj importeve të ullirit të zi nga Spanja, të prodhuar nga kompani që kanë marrë subvencione nga qeveria e tyre.

Bashkimi Evropian ka sfiduar këto tarifa në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe pretendon se ato i kanë kushtuar sektorit të vajit të ullirit në Spanjë 800 milionë euro.

“Tarifat tashmë i kanë bërë shumë dëme sektorit të prodhimit të vajit të ullirit. Për momentin nuk e dimë ende nëse do të vendosen tarifa apo jo, shpresoj që qeveria do të bëjë mirë punën e saj dhe nuk do të ndëshkojë sërish sektorin spanjoll të vajit të ullirit siç ndodhi në ato vite. Megjithatë, vajrat e tjerë të ullirit të prodhuar në Komunitetin Ekonomik Evropian nuk u penalizuan dhe nuk kishin këto lloje tarifash”, thotë kultivuesi i ullirit, Benito Aviles.

Shqetësimet e BE-së lidhur me tarifat e mundshme ndaj vajit të ullirit janë të justifikuara.

BE-ja prodhon dy të tretat e 3 milionë tonëve të vajit të ullirit në botë, në vit.

Pjesa dërrmuese e këtyre 2 milionë tonëve prodhohet nga Spanja, e cila prodhon produkte të ullirit më shumë se Italia, Greqia dhe Portugalia së bashku.

Prodhuesit spanjollë janë gjithashtu të shqetësuar se do të kenë më shumë gjasa të përballen me tarifa sesa Italia, sepse qeveria e tyre nuk shihet si simpatike ndaj administratës së Presidentit Trump.

Kooperativa ‘San Benito’ magazinon qindra mijëra litra vaj ulliri, që do të shiten në tregun amerikan.

Sipas menaxherit të kooperativës Antonio Manuel Guerrero, Spanja gjatë viteve 2024-2025 ka prodhuar 1.3 milionë ton vaj ulliri, 40 për qind të tregut ndërkombëtar dhe mund të goditet më rëndë nga tarifat.

“Këtë vit Spanja do të prodhojë 1 milion e 300,000 ton vaj ulliri dhe bota 3 milionë. Mund të ketë luhatje nga viti në vit për shkak të motit dhe faktorëve të tjerë, por këtë vit Spanja do të prodhojë 40 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vajit të ullirit në botë. Sa i përket cilësisë, unë do të thosha se jemi ndër të parët, sepse për shumë vite ne kemi këmbëngulur për prodhime të cilësisë së lartë në këtë sektor”, thotë zoti zoti Guerrero.

Sipas drejtorit komercial të korporatës “Dcoop”, Manuel Perez, shumica e shisheve me vaj ulliri në këtë fabrikë përfundon në tregun amerikan.

“Për ne tregu amerikan është një nga tregjet më të mëdha në botë dhe është shumë i rëndësishëm. Shumica e aktiviteteve tona, si për ullirin ashtu edhe vajin e ullirit është e përqëndruar në shitjet në tregun amerikan”, thotë ai.

Korporata “Dcoop Group” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore agronome të Spanjës.

Korporata “Dcoop” thotë se fitoi 635 milionë euro nga eksportet në më shumë se 75 vende të botës në 2023. Nga shitjet në Shtetet e Bashkuara ajo fitoi 47 milionë euro.

“Për ne tregu amerikan është një nga tregjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë”, thotë Manuel Pérez, drejtor për tregtinë në korporatën “Dcoop”./voa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu