Gati tri dekada pas sulmit të forcave serbe kundër Familjes Jashari, më në fund, më 05.08.2024, është prezantuar propozimi fitues për zhvillimin e master-planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450-hektarëshe në fshatin Prekaz, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij hyrëse para prezantimit të projektit.
Këtë projekt, që u zvarrit me vite të tëra, Kurti e cilësoi një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të vendit tonë.
“Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku të shkoj përtej saj” – citoi Kurti thënien e Shaban Jasharit, duke i cilësuar kullat e Jasharëve dhe Familjen Jashari shembull botëror të flijimit për liri.
Ndër të tjera Kurti tha me bindje që ky propozim do të sjellë një interpretim gjithëpërfshirës të historisë së Familjes Jashari.
“Kemi marrë të gjitha hapat që ky projekt të trajtohet me ndjeshmëri e me qasje multidisiplinare deri te vlerësimi i lartë teknik” – tha Kurti.
Bekim Jasharit, përfaqësues i Familjes Jashari, shpallja e propozimit fitues i ngjalli shumë emocione dhe kujtime.
“Është një hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin më të madh të kullave që dikur ishin të babës Shaban, e tash janë të gjithë Kosovës”- tha Jashari.
Për të, ashtu siç tha ai, trualli i babës Shaban është vendlindja e secilit hero të Kosovës.
“Duke ndërtuar këtë kompleks t’i tregojmë botës për luftën tonë të drejtë për liri”- tha ai.
Duke prezantuar hapësirat se si do të duken ashtu siç kanë projektuar, përfaqësuesit e konsorciumit fitues, premtuan që kullat do të ruhen që mos t’u ndërrohet identiteti.
Në bazë të prezantimit të projektit, kullat do të vendosen apo ruhen nën xham transparent në mënyrë që nga vizitorët të shihen më qartë.
Në projekt shihet që do të ketë muze kombëtar brenda kompleksit, librari, ekspozitë të përhershme, hapësira për vizitorë, pjesa për fëmijë ku do të mësojnë më shumë për historinë e Kosovës, arkiv, hapësirë për trajnime dhe një tjetër për konferenca, restorant, hapësira të gjelbra për agrikulturë, amfiteatër etj.
Një tjetër element që përfshihet në kompleks është “Kulla e Ujit”.
Konsorciumi i kompanive përbëhet nga “Gerber Architekten International GmbH (Gjermani) dhe Donald Insall Associates & Barker Langham (Mbretëri e Bashkuar).
Më shumë se një vit nga shpallja e tenderit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në korrik të vitit 2024 shpalli fituesin e kontratës gati 8 milionë euro për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Vlera e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro, gati 5 milionë më shumë sesa vlera e parashikuar.
Shtëpitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” kanë mbetur në gjendjen e njëjtë që nga viti 2000 kur ishte bërë konservimi emergjent i tyre./Kallxo.com