
Një hetim i New York Times ka zbuluar probleme serioze në një nga ndërtesat më të famshme dhe më luksoze të Nju Jorkut — Kulla “432 Park Avenue”, një simbol i luksit që po kthehet në një makth për banorët e tij.
U ndërtua për të qenë më i larti në botë, por po tregon dobësi strukturore
Kulla, e përfunduar në vitin 2016, është 426 metra e lartë dhe ka 96 kate. Ajo ishte menduar të ishte ndërtesa rezidenciale më e lartë në botë, por tashmë banorët raportojnë defekte të rënda strukturore:
-
ujë që rrjedh nga tavanet,
-
ashensorë që prishen vazhdimisht,
-
dysheme që dridhen në ditët me erë të fortë.
Sipas NYT, projektuesit kanë vënë më shumë theks tek estetika sesa funksionaliteti, duke neglizhuar qëndrueshmërinë. Një grup inxhinierësh që analizuan dokumentet teknike theksoi se, edhe pse rreziku i shembjes është i ulët, ndërtesa është “e stresuar” dhe ka nevojë për ndërhyrje.
Banorët VIP në beteja gjyqësore
Ndër të parët që blenë apartamente ishin personazhe të njohur si Jennifer Lopez dhe Alex Rodriguez, të cilët paguan miliona dollarë për luksin që sot rezulton problematik.
Banorët raportojnë se që në ditët e para pas hapjes, janë përballur me çarje në mure, tubacione të dëmtuara dhe dëme me miliona dollarë.
Përplasjet ligjore janë të ashpra: këshilli i banesës ka ngritur dy padi kundër ndërtuesve, duke i akuzuar për mashtrim dhe fshehje të defekteve. Ndërkohë, punimet e riparimit janë bllokuar nga mosmarrëveshjet ligjore, duke rrezikuar edhe sigurinë publike — pasi pjesë betoni mund të bien nga një lartësi prej mbi 400 metrash.
Inxhinierët paralajmërojnë: dizajni tepër “i hollë”
Raporti teknik tregon se raporti i “snellezza”-s (lartësi ndaj gjerësisë) është 15 me 1, një strukturë shumë më e brishtë se ajo e ndërtesave klasike si Empire State Building, i cili ka raport 3 me 1.
Për më tepër, zgjedhja e betonit të bardhë për fasadën — në vend të atij gri tradicional — ka ngritur dyshime për komprometimin e rezistencës mekanike, pasi ndryshimet në përbërje mund të ndikojnë në qëndrueshmëri.
Një simbol luksi që po shembet nga brenda
432 Park Avenue u cilësua fillimisht si një “triumf arkitekturor”, me 125 njësi që u shitën për mbi 2.5 miliardë dollarë, sipas analizës së Marketproof. Sot, i njëjti projekt është bërë sinonim i dështimit të luksit modern, ku estetika ka mposhtur inxhinierinë.
Autoritetet amerikane po e mbajnë ndërtesën nën vëzhgim, pasi ligji kërkon që çdo pesë vjet të kryhen inspektime të detyrueshme për fasadat e pallateve mbi gjashtë kate.