
Një aksident rrugor është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Kukësit. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 00:30, në vendin e quajtur “Agjencia”, një automjet i drejtuar pa leje drejtimi nga shtetasi A. Gj., 21 vjeç, është përplasur me një tjetër automjet me drejtues shtetasin I. H.
Pas përplasjes, i riu ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka shpallur atë në kërkim.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dy pasagjerë që udhëtonin me 21-vjeçarin, shtetasit G. Ll. dhe R. G., banues në Kukës, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, janë dëmtuar edhe dy automjete të parkuara pranë vendngjarjes.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit A. Gj. dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.