
Policia e Tiranës ka njoftuar se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i mbyllur për më shumë se 24 orë, për shkak të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, që zhvillohet më 8–10 tetor në Pallatin e Kongreseve.
Sipas njoftimit, ndalimi i qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve do të nisë në orën 07:00 të datës 9 tetor dhe do të zgjasë deri në 15:00 të datës 10 tetor.
Gjatë kësaj kohe do të ndalohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza”, përfshirë edhe rrugën “Gjergj Filipi” dhe aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin.
Edhe këmbësorët nuk do të lejohen të kalojnë në trotuarin nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u bën thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonën e kufizuar, si dhe të ndjekin udhëzimet e efektivëve në terren.
Në raste nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin pa pagesë 112.