
Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) ka njoftuar sot për kufizime të përkohshme në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit, për shkak të defekteve të shfaqura në rrjetin e shpërndarjes.
Sipas deklaratës zyrtare të UKT-së, problemet kanë prekur dy linja të rëndësishme të furnizimit: stacionin e pompimit në zonën e Kombinatit dhe linjën kryesore që furnizon depot qendrore mbi Qytetin Studenti. Si rrjedhojë kanë mbetur pa furnizim me ujë 10 zona të Tiranës.
Zonat e prekura nga defekti në stacionin e pompimit janë:
-Kombinat
-Prush
-Sharrë
Ndërkohë, defekti në linjën kryesore në depot qendrore ka prekur zonat:
-Rruga e Elbasanit
-“3 Vëllezërit Kondi”
-Zona e Sanatoriumit
-Kodra e Diellit
-Liqeni i Thatë
-Sauku i Ri
-Sauku i Vjetër
Ekipet teknike të UKT-së ndodhen në terren dhe po punojnë me intensitet për identifikimin dhe riparimin e shpejtë të defekteve. Autoriteti i ujësjellësit ka siguruar qytetarët se do të informohen në kohë reale për çdo zhvillim apo ndryshim të situatës.
“Kolegët e UKT-së janë në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më shpejt të furnizimit normal me ujë. Çdo hap i punimeve dhe çdo zhvillim i ri do të bëhet me dije për qytetarët. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!”, thuhet në njoftim.
Edhe ditën e djeshme pati një problem të tillë, ku dy zonat e prekura ishin “Kodra e Diellit” dhe “Komuna e Parisit”./tvklan.