
“Më thoni pse e keni lënë dosjen pa asnjë veprim hetimor dhe më keni dënuar vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”, iu është drejtuar Florenc Çapja prokurorit të SPAK që po heton dosjen e tij, referuar dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e baba e bir, Nezir dhe Gentin Beqiraj, krim i ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.
Ai ka mohuar që të ketë aplikacionin e koduar Sky Ecc, duke u shprehur: “Ku e ke Sky? Unë skam pas asnjëherë”.
Florenc Çapja u implikua në krimin e dyfishtë nga i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi, ndërsa të arrestuar për këtë ngjarje janë edhe Olsi Leku, Etjen Cani e Klajdi Dokoli.
VRASJA E BABA E BIR
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.
DËSHMIA E TË PENDUARIT TË DREJTËSISË, ERVIS BARDHI
Krimi i dyfishtë tronditi Elbasanin në 15 gusht të vitit 2012. Sipas dosjes së Prokurorisë thuhet se ditën e krimit, nga banesa ka dalë nëna e Gentian Beqirit dhe bashkëshortja e Nezir Beqirit, Behije Arapi, për të bërë pazar dhe në këtë moment ka konstatuar se dy punonjësit e Policisë në detyrë, që ruanin Gentianin, nuk ndodheshin në vendin e shërbimit.
Ervis Bardhi ka dëshmuar se vrasja e dyfishtë u bë me urdhër të Çapjave. I penduari ka shpjeguar se vrasjen e kreu me Olsi Lekun, ndërsa Etjen Cani ishte në rolin e ndihmësit.
Ekzekutimi i tyre bëri bujë në atë kohë pasi Gentiani ishte nën arrest shtëpie dhe ruhej nga Policia.
Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga gazeta “Panorama.al”, Bardhi ka rrëfyer midis të tjerash edhe për vrasjen e Gentian Beqirit. Sipas tij, për këtë vrasje, Ardian Çapja i ka ofruar 50 mijë euro.
“Ardian Çapja me ofroi 50 mije euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Realizimi i vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga Policia, pasi dyshohej për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij”, ka thënë Bardhi në rrëfimin e tij.
I penduari i drejtësisë ka deklaruar se Etjen Cani dhe Klajdi Dokolli po bënin rojë, ndërsa ai së bashku me Olsin Lekun është ngjitur për në banesën e viktimave. Bardhi pretendon se fillimisht e ka qëlluar me plumb në faqe Gentian Beqirin, ndërsa më pas e ka shkrehur armën dhe 3 herë të tjera.
Ndërsa Nezir Beqirin e ka vrarë Olsi Leku, duke e mbytur me jastëk pasi e kishte goditur fillimisht në nofull. Pas ngjarjes ata janë larguar në drejtime të ndryshme, ndërsa Olsi Leku ka bërë djegien e makinës./Panorama