
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar informacion kreut të SPAK-ut nëse lajmet për nisjen e një procedimi dhe vendosjen nën përgjim të disa anëtarëve të kësaj gjykate janë të vërteta.
“Trupa vendosi që t’i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë”, tha Zaçaj.
Çështja për të cilën pretendohet se ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka pasur presion për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre është kërkesa e bërë nga Pëllumb Gjoka për pavlefshmërinë e përgjimeve të kryera përmes platformës Sky ECC çka çuan në arrestimin e tij, duke argumentuar se ato bien ndesh me Kushtetutën, kërkesë që u rrëzua me një vendim në datën 30 Dhjetor.
“Informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji”, tha ajo.
Në konferencën e zhvilluar për të raportuar mbi punën e bërë gjatë 2024, Zaçaj risolli dhe njëherë në vëmendje duke iu referuar rastin Xhaçka sa e rëndësishme është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Zbatimi i vendimeve është detyrim i të gjitha organeve. Nëse një organ zgjedh të mos e zbatojë ky është një nivel tjetër për të drejtën kushtetuese në vend”, tha Zaçaj.
E pyetur, kryetarja e “Kushtetueses” foli dhe për debatin për përtëritjen e Gjykatës dhe përfundimit të mandatit të saj.
Sipas saj rruga që ndoqi Presidenti i Republikës duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të sqaruar se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës është rruga e duhur./Klan