
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në fjalimin e tij të parë para deputetëve tha se në legjislaturën e nëntë priten përballje politike, mirëpo me synimin për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe të zhvilluar.
Sipas tij, pavarësisht sfidave në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit tash e gjashtë muaj, e njëjta i ka kontribuar demokracisë dhe emancipimit si shoqëri.
“Të nderuar kolegë, ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e kemi parë më herët. Por, me të gjitha betejat, unë besoj se ka qenë një shkollë që i ka kontribuar demokracisë, por edhe vetë emancipimit tonë si shoqëri. Këto ballafaqime gjenden edhe tek vendet më të zhvilluara, prandaj me rëndësi është që gjithçka ka ndodhur brenda konturave të debatit demokratik. Kjo është dëshmi se shoqëria jonë është e emancipuar për t’u përballur me sfida të tilla. Në emër të kryetarit të Kuvendit, ju bëj thirrje për bashkëpunim dhe unifikim. Është koha të dëshmojmë se, pavarësisht dallimeve politike, ne kemi guximin dhe mençurinë të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit tonë, Republikës sonë për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra… Në këtë Kuvend pres debat të hapur, por edhe respekt për njëri-tjetrin. Dua të shoh kritika, por edhe alternativa. Dua të shoh përballje politike, por me synimin e përbashkët për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Të nderuar deputetë, kemi dallime, por Kosovën e kemi bashkë”, tha ai.
View this post on Instagram
Basha, para deputetëve, duke kërkuar unifikim, përmendi heroin Skënderbeun, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, si dhe presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“Në çastet më të vështira, ky popull ka dëshmuar se di t’i lërë anash dallimet dhe të ngrihet për kauza kombëtare. Kemi udhërrëfyesin, Gjergj Kastriot Skënderbeun, shembullin e pavdekshëm të guximit dhe të mbrojtjes së atdheut. Kemi shembullin e udhëheqësit të urtë, presidentit historik Ibrahim Rugova, që dinte t’i bashkonte të tjerët. Ky popull u bashkua edhe rreth UÇK-së dhe komandantit të saj, Adem Jashari, për të luftuar gjenocidin fashist. Lufta e Adem Jasharit dhe e të gjithëve ishte për liri dhe për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe për të luftuar terrorin që po ushtrohej ndaj popullit tonë”, shtoi Basha.
Krahas kësaj, Basha theksoi rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të BE-së.
“Sot kjo Republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve tona mike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sakrifikuan ushtarët e tyre që ne të jetojmë të lirë. Jemi mirënjohës për kontributin e tyre atëherë dhe tash. I gëzohemi faktit se Kosova mbetet një prej projekteve më të suksesshme të bashkësisë ndërkombëtare,” deklaroi Basha.
Në anën tjetër, Basha përmendi edhe shtrirjen e sovranitetit në veri, që sipas tij është bërë me vullnetin e pathyeshëm të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti./kOSOVAPRESS