Kryetari i Partisë Popullore Evropiane (PPE), Manfred Weber, ka dërguar një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën dënon ashpër incidentin e sulmit verbal dhe fizik ndaj eurodeputetit të PPE-së, Fredi Beleri, i cili ndodhi më 29 tetor gjatë vizites në Shqipëri.
Ngjarja e papranueshme ndodhi gjatë vizitës së Komitetit Parlamentar të Stabilizimit dhe Bashkëpunimit BE-Shqipëri, ku Beleri ishte pjesë e delegacionit të Parlamentit Evropian.
Në letrën e tij, Weber thekson se eurodeputeti, i cili mbante statusin diplomatik të anëtarit të delegacionit të Parlamentit Evropian, u sulmua verbalisht dhe fizikisht nga një protestues gjatë daljes së tij nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai thekson se nuk u morën masa për të parandaluar këtë sulm të turpshëm, i cili ndodhi në mes të një misioni zyrtar. Sipas Weber, ky incident është një shenjë e një mungese të dukshme të mbrojtjes shtetërore, duke shtuar se nëse do të ishin marrë masa të duhura sigurie nga shteti shqiptar, ky sulm mund të ishte parandaluar.
Bisedimet e mundshme për paqe, si po luftojnë Kievi dhe Moska në kërkim të avantazhit
Weber thekson se “sulmi verbal dhe fizik ndaj z. Beleri para Kuvendit të Shqipërisë përbën një dështim të shtetit pritës për të garantuar sigurinë dhe integritetin e një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve të Bashkimit Evropian gjatë një misioni zyrtar”. Ai thekson gjithashtu se ky incident është në kundërshtim me udhëzimet ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike, të cilat kërkojnë që përfaqësuesit diplomatikë të jenë të mbrojtur gjatë misioneve të tyre.
Në fund të letrës së tij, Weber i bën thirrje kryeministrit Rama që të sigurohet që incidente të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen dhe të respektojë angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ky incident ka ngritur shqetësime për sigurinë e eurodeputetëve dhe për mënyrën se si Shqipëria trajton vizitat zyrtare të delegacioneve ndërkombëtare. Kërkesa e Weber për masa të menjëhershme dhe përmirësim të sigurisë gjatë misioneve të tilla vjen si një paralajmërim i fortë për qeverinë shqiptare për të forcuar mbrojtjen e diplomatëve të huaj në territorin shqiptar.