
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani uron besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës.
Në një mesazh drejtuar besimtarëve ortodoksë, Imzot Joani thotë se Pashka është përkujtimi i Ngjalljes së Krishtit dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës sonë.
“Ndoshta sot, më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse Ngjallja nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, për çdo brez dhe për çdo njeri, e cila jep shpresë, dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe nuk na lejon të mbytemi në detin e hidhërimit”
Kryepeshkopi Joan përkujtoi edhe Kryepeshkopin Anastas, i cili u nda nga jeta në janar të këtij viti.
“Këtë Pashkë ne nuk e kemi mes nesh Kryepiskopin tonë të dashur Anastas. Por zemrat tona ngushëllohen duke ditur se ai tani ndërmjetëson për ne pranë Zotit, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Besojmë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re në Perëndinë”.
Kryepeshkopi Joan shprehet se ngjallja e Krishtit na forcon dhe na jep të gjithëve besim ndërsa thekson se nëse do të ndizet drita e ngjalljes në jetën tonë, atëherë edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore do të ndriçohen. Imzot Joani, gjithashtu vuri theksin dhe tek luftërat në botë.
“Por, ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj jete. Në botë ka padrejtësi dhe luftëra, varfëri dhe mundim, sëmundje dhe vdekje, që shpesh mund ta çojnë njeriun në dëshpërim. Egoizmi dhe lakmia i kanë helmuar dhe deformuar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i tjetërsuar dhe duke i vetmuar nga njëri-tjetri. Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim, sepse qenia jonë mund të transformohet dhe të arrijë dimensionin e saj të plotë”,
Imzot Joan Pelushi u fronëzua si kryepeshkop më 29 mars pas ndarjes nga jeta të Anastas Janullatos, I cili qëndroi në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë për 3 dekada.