Një tjetër incident është raportuar sot në Theth, ku po zhvillohet operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Fillimisht u raportua për sulme me molotov ndaj makinerive të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), por Policia e Shkodrës ka sqaruar zyrtarisht ngjarjen.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar të djegë një urë druri në lagjen “Gjelaj”. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, është parandaluar djegia e plotë e urës, e cila ka pësuar vetëm dëmtime të pjesshme.

Policia thekson se nuk ka pasur asnjë sulm me molotov ndaj makinerive fadromë të IKMT-së dhe nuk është regjistruar asnjë dëm tjetër material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve shtetërorë që ndodhen në terren.

Shërbimet e Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë vazhdojnë të jenë të pranishme në zonë për të garantuar mbarëvajtjen e operacionit të shembjeve, në mbështetje të IKMT Tiranë dhe Inspektoratit të Bashkisë Shkodër.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj tentative zjarrvënieje. Policia apelon për qytetarët të qëndrojnë larg veprimeve që pengojnë aksionet ligjore, pasi çdo shkelje do të përballet me forcën e ligjit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu