Kryeministri Edi Rama u ndal te figura e ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, gjatë prezantimit të drejtorit të ri Igli Tafa, duke shprehur bindjen se ajo do të dalë e pafajshme, ndërsa theksoi se fjala përfundimtare i takon drejtësisë.

Rama e përshkroi Karçanajn si një prej njerëzve më të përkushtuar në shërbimin publik, me një karrierë të gjatë që nga koha e Bashkisë së Tiranës. Ai u shpreh i pikëlluar për situatën që ajo po kalon dhe kritikoi sulmet verbale ndaj saj.

“Kam dijeni që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë dhe ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Besoj me gjithë zemër se do dalë e pastër, por nuk më takon mua ta them këtë – i takon drejtësisë,” deklaroi kryeministri.

Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e AKSHI-t me partnerë ndërkombëtarë si kompania Microsoft dhe kompania Oracle, duke theksuar se ekipi i institucionit përbën një nga asetet më të rëndësishme të vendit.

Rama foli edhe për procesin e reformimit të drejtësisë, të cilin e cilësoi si një “revolucion të domosdoshëm”, megjithëse shpesh i dhimbshëm për individët.

“Po ndodh një revolucion në transformimin e sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë e gjallë në një sistem të drejtë dhe funksional. Jemi ende larg, por rruga është pa kthim,” tha ai, duke shtuar se në këtë proces pasojat ndonjëherë bien mbi jetët e njerëzve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu