Kryeministri Edi Rama duke folur në aktivitetin “Deputeti që Duam”, ka prekur ndër të tjera edhe arrestimet e fundit në SPAK, edhe pse nuk përmendi emra.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se sot politika shqiptare është në një moment delikat, ku një pjesë ka degraduar, pranndaj ata që janë me duar të psita po fshihen, për t’i hapur rrugën ripërtëritjes

yacht hotel sarande

“Duart e pastra bëjnë një punë, të pistat një gjë tjetër, të treguarat bëjnë një gjë, të fshehtat një gjë tjetër. Kështu që kërkon shumë forcë, shumë fuqi të brendshme për të mos u dorëzuar, sepse politika në Shqipëri sot është në një moment degradimi, pasi është njëkohësisht një moment riformësimi. Është si një trup që ka kaluar një fazë të caktuar dhe tani po fillon të riformësohet pasi ka një pjesë të vetën shumë të degraduar, dhe ka një shtysë të brendshme për të ripërtërirë. PS ka detyrën për të shtyrë këtë ripërtëritje. PS është partia më e vjetër dhe më e re në Shqipëri, kjo është arsyeja pse PS ka fituar, dhe do fitojë prapë. Të jesh një forcë me histori nuk është dobësi, është kapacitet shumë i rëndësishëm, që t’i mund t’i vësh në dispozion vendit. Por kur një forcë me histori e shkuara dominon, dhe e ardhmja shihet me sytë e të shkuarës, atëherë kjo forcë është e vjetëruar. Ndërsa kur një forcë me histori është e ardhmja që dominon vështrimin, dhe e shkuara shihet me sytë e të ardhmes, atëherë kjo është një forcë sa e vjetër aq edhe e re. Përpjekja për ta kthyer këtë në një mënyrë të jetuar dhe mënyrë të bashkëpunuari me Shqipërinë është një domosdoshmëri. Kam një lajm të mirë, tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar. Shqipëria sot është në tryezë duke negociuar për integrimin në BE. Për mua java e kaluar ka qenë momenti më historik qëkur kam ardhur në detyrë. Moment historik për të treguar se çfarë na është dashur për të hequr nga shpina si ngarkesë nga momentet e së shkuarës, për të treguar se ne jemi një forcë që mund të garantojë të ardhmen”, tha Rama.

Kujtojmë që vetëm dy ditët e fundit Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ekzekutuar dy urdhërarreste të SPAK, një ditë më parë u arrestua ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, ndërsa sot Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. /Vizionplus.

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, njëherësh Kryeministër, Edi Rama:

Mirë se keni ardhur në oborrin e Partisë Socialiste!
Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia të jem këtu me ju dhe nuk e them këtë për të thënë një fjalë të rastit, por sepse unë kam një besim të konsiderueshëm tek ky proces dhe sepse ky proces është pjesë e një zinxhiri, tanimë jo të shkurtër përpjekjesh për ta hapur Partinë Socialiste, për ta zgjeruar hapësirën e ndërveprimit të PS me shoqërinë, për ta bërë PS sa më shumë një mjet të njerëzve në funksion të qëllimeve të përbashkëta dhe më besoni që kjo nuk është e lehtë, përkundrazi, kjo është e vështirë.
Kur dëgjova Borën që tha që ne do donim që të ishit të gjithë sot në podium, por jeni shumë prandaj ishin vetëm 5 apo 6, e mora me mend që në mos të gjithë, shumë nga ju këtu ndiheni të disavantazhuar sepse 6 personave ju krijua një avantazh, por duhet ta dini që kush merr përsipër të hyjë në rrugën e politikës, nuk hyn në një rrugë të shtruar, nuk hyn në një rrugë që është e drejtë, as hyn në një rrugë që është e sheshtë. Hyn në një rrugë që është si ato shtigjet gjarpëruese që herë shkojnë lart e herë shkojnë poshtë; herë ndërpriten nga pengesa, herë bëhen të rrëshqitshme, herë të bëjnë të thuash ‘’më mirë të kthehem” dhe ajo që ti konsideron të drejtë në raport me veten duke parë të tjerët, është një e drejtë së cilës vetëm ti mund t’ia nxjerrësh dukjen nëse ke forcën t’i rezistosh asaj rrugës gjarpëruese. Nuk ka një vlerësim objektiv të mundshëm dhe edhe vetë zgjedhja, edhe vetë vota ka brenda dhe një dozë emocioni, subjektiviteti, rrethanash që bëjnë që dikush në një moment të caktuar të shihet dhe të vlerësohet më shumë dhe dikush tjetër të shihet dhe të vlerësohet më pak, por ama kjo është njëkohësisht një rrugë për guximtarët. Unë jam mbi të gjitha mirënjohës për ju që së pari trokisni në derën e Partisë Socialiste dhe ju e dini më mirë se unë, pavarësisht se ç’mund të mendojnë dhe ç’mund të paragjykojnë apo të gjykojnë ata që ju shohin nga lart sot, ju shohin nga larg nesër, që ju nuk keni aplikuar me ndihmën e dikujt apo sepse keni një mbiemër të njohur apo se keni një lidhje domosdoshmërish etj. Mund të ketë edhe nga ata, është normale, por keni aplikuar duke besuar që ‘’hajde ta provojmë’’. Me siguri shumë ndër ju janë ende këtu ulur me idenë që kjo është lojë dhe që në fund fare juve mund të ndiheni si të përdorur për një shfaqje, propagandë, që ‘’ja, po mbledhim të rinjtë; po u japim mundësi të rinjve’’ etj dhe në fund fare, duke qenë se shumica juaj nuk do t’ia dalin dot sepse e tha Bora, ne sot me 470 aplikantë kemi praktikisht 3 parlamente vetëm me ju, ndërkohë që në listën e PS, do të jenë 140, plus edhe një numër tjetër mbi, që i përket pjesës së mbyllur së listës, pra në totalin e vet skuadra është më pak sesa 200 persona. Ndërkohë që lojtarë që duan të futen në fushë, tanimë janë 1 mijë.


Kjo është gara dhe këtu natyrisht po të bësh llogaritë me arsye të ftohtë dhe pa futur brenda pasionin, pa futur brenda ambicien, pa futur brenda dëshirën për t’ia dalë, duhet të dorëzohesh, s’ke shanse, por nëse je i gatshëm që t’i përballosh të gjitha, nëse je i gatshëm që edhe në fund fare këtë eksperiencë ta shohësh si fillimin e një rruge, jo si fundin e një rruge, atëherë kjo është një eksperiencë që ia vlen. Dhe unë uroj që ata që do të dorëzohen, të mos jenë më shumë sesa ata që nuk do të dorëzohen, se e di që do ketë edhe nga që ke dhe këtu sot, ose kanë qenë në dy takimet e mëparshme dhe që në një moment të caktuar do zhduken, do ‘’avullojnë’’. Është normale, por ajo që unë dua t’ju siguroj është që ne e kemi shumë seriozisht këtë proces sepse ka ardhur ky moment në këtë histori të pas-rënies së diktaturës kur një gjeneratë e dytë, me këtë kam parasysh gjeneratën e atyre që sot janë në nivelin udhëheqës të PS dhe faktikisht pjesa më e madhe e tyre e kanë nisur rrugën si lojtarë të skuadrës së të rinjve kur unë erdha në krye të PS, do të filloj t’i bëj vend , do t’i krijoj hapësirë, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme një gjenerate të tretë. Një gjenerate të tretë e cila është përgjithësisht gjenerata juaj dhe ne nuk kemi vënë kufi moshe dhe këtu ka edhe disa që janë në moshë më të rritur, por që janë të rinj në sensin që e kanë këtë një sprovë të re në jetë dhe është detyra jonë që të përgatisim jo thjesht të gjitha forcat për ‘’Shqipërinë 2030’’, por të përgatisim dhe Partinë Socialiste të vitit 2030; të përgatisim fuqinë që do të marrë stafetën e gjeneratës dominante sot dhe që do të çojë përpara projektin e Partisë Socialiste në dekadën e ardhshme. Ju e keni dëgjuar kur thonë: ‘’janë shumë 3 mandate’’. Pse janë shumë? Dhe këtu nuk kam parasysh personat apo personin tim. Këtu kam parasysh projektin, kam parasysh forcën, kam parasysh edhe përgjegjësinë jo në vendet diktatoriale po në vendet shumë demokratike të Europës. Në vende madje me standarde demokratike shumë më të larta sesa pjesa më e madhe e vendeve të Europës, në veri të Europës. Ka pasur parti që kanë bërë historinë duke qëndruar 30, 40, 50 vjet në pushtet. Nuk po them që kështu do ndodhi, por po them që detyra jonë është që Partia Socialiste të qëndrojë në krye të detyrës dhe kjo nuk është ambicie për pushtet, kjo është ambicie për Shqipërinë dhe pushteti duhet për këtë ambicie.
Natyrisht brenda hapësirës së politikës ka nga të gjithë e nga të gjitha. Ka nga të gjithë llojet e njerëzve dhe ka nga të gjitha llojet e problemeve, sepse është një hapësirë e lirë, vullnetarësh, njerëz që marrin përsipër një mision ekstra, përtej misionit të tyre të përditshëm në punët e tyre të përditshme dhe partitë e vërteta përfaqësojnë shoqërinë dhe nuk mundet të jenë të ndara nga një pjesë e shoqërisë, nëse duan të udhëheqin shoqërinë dhe për këtë arsye politika nuk është një hapësire ku gjërat shkojnë si në një plan të caktuar për të shkruar një studim akademik, si në një proces për të bërë një vepër arti, si në një proces laboratorik, ku faktikisht është njeriu, apo njerëzit dhe është pastaj materia me të cilën ata punojnë. Këtu materia janë po njerëzit dhe ushtrimi demokratik është që të krijosh sa më shumë ndërveprim dhe sinergji me njerëzit, por nga ana tjetër politika është sipas meje shpikja më e jashtëzakonshme që njeriu ka bërë nga nevoja për tu mbrojtur nga kaosi, për tu bashkuar, për të vendosur disa rregulla, për të bashkëpunuar, për të shfrytëzuar mjedisin ku jeton në funksion të mirëqenies dhe hap pas hapi për të krijuar shtetin si një organizëm garancish dhe më tej për të filluar dhe për të imagjinuar të drejtat dhe liritë e tij. Dhe i gjithë procesi i kalimit të njerëzimit deri ditët e sotme është një proces që është udhëhequr nga politika. Politika ka bërë gjëra të tmerrshme, politika ka “pjell” monstra; nazizmin, totalitarizmin komunist e plotë e plotë të tjera, inkuizicionin, por politika ka bërë të gjitha ato gjëra të cilat sot individi dhe shoqëritë jetojnë në standarde krejt të tjera nga ato që kanë pasur më parë. Pa politikën nuk do kishte Bashkim Europian. Bashkimi Europian është krijesa më gjeniale e mendimit politik, dhe pa politikën nuk do kishte Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe pa politikën nuk do kishte shumë, e shumë gjëra të tjera deri te gjërat që sot ne na duken bazike dhe të padiskutueshme, ndërkohë që për mua dhe për ndokënd tjetër këtu janë shumë të freskëta kohët kur ishin të pamundura. Liria për të folur, liria për tu zgjedhur, liritë individuale, garancitë ligjore etj.
Kështu që të merresh me politikë nuk do të thotë që domosdoshmërish të merresh me një punë të pistë. Të merresh me politikë do të thotë të merresh me diçka që është shumë fisnike dhe si çdo gjë tjetër, varet nga duart. Duart e pastra bëjnë një punë të caktuar, duart e pista bëjnë një tjetër. Duart e afta bëjnë një punë të caktuar, duart e pafata bëjnë një tjetër. Duart e treguara bëjnë një gjë, duart e fshehura bëjnë një gjë tjetër. Kështu që kërkon shumë kurajo, kërkon shumë durim, kërkon shumë forcë e mbi të gjitha kërkon shumë fuqi të brendshme për të mos u dorëzuar sepse politika, – dëgjova djalin kur foli për Parlamentin, në Shqipëri sot është në një moment degradimi sepse është njëkohësisht një moment riformësimi, është si një trup që ka kaluar një fazë të caktuar dhe tashti po fillon të riformësohet pasi ka një pjesë të vetën shumë të degraduar dhe ka një shtysë të brendshme të gjithë organizmit shoqëror për të ripërtëritë dhe Partia Socialiste ka detyrën ta udhëheqë këtë ripërtëritje. Partia Socialiste është partia më e vjetër dhe më e re sot në Shqipëri dhe kjo është arsye përse Partia Socialiste fiton dhe pse Partia Socialiste do të fitojë prapë, sepse të jesh një forcë në histori nuk është një dobësi, është një kapacitet shumë i rëndësishëm që ti mund t’i vësh në dispozicion vendit, por kur te një forcë me histori, e shkuara dominon vështrimin dhe e ardhmja shikohet me sytë e së shkuarës, atëherë kjo forcë është jo më histori, por një forcë e vjetruar. Ndërsa kur një forcë në histori është e ardhmja që dominon vështrimin dhe e shkuara shihet me sytë e së ardhmes atëherë kjo forcë është një forcë sa e vjetër aq edhe e re. Dhe përpjekja për ta kthyer këtë në një mënyrë të jetuari dhe në një mënyrë të komunikuari dhe një mënyrë për të bashkëpunuari me shoqërinë është një domosdoshmëri dhe platforma dhe ju këtu jeni pjesë e kësaj përpjekje.
Duke qenë se mora një pikë nga fjala e djalit që foli për Parlamentin, kam një lajm të mirë për ty, tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar. Shqipëria sot është në tryeze ulur, duke negociuar anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe faktikisht për mua javën e kaluar ka qenë dita më e rëndësishme qëkurse kam marrë këtë detyrë, momenti më përmbushës sepse e di mirë si dëshmitar i gjithë rrugës për tu ulur në atë tryezë atë ditë se çfarë na është dashur të heqim nga shpina si ngarkesa dhe hije të së shkuarës dhe çfarë na është dashur të bëjmë për të provuar për veten tonë në radhë të parë pastaj për të tjerët që ne jemi një forcë që mund ta garantojë të ardhmen.
Natyrisht që Shqipëria ka shumë probleme, por Shqipëria sot ka një garanci që, e para, ka një kapacitet, sipas meje të mishëruar në pjesën e vet më të madhe tek Partia Socialiste për të adresuar problemet dhe e dyta, ka një kapacitet përsëri të mishëruar në pjesën e vet më të madhe tek Partia Socialiste për t’i kuptuar, për t’i pranuar dhe për t’i adresuar problemet që duhen zgjidhur, por Partia Socialiste ka nevojë që ta rrisë këtë kapacitet në mënyrë domethënëse duke filluar nga skuadra e saj në Parlament dhe për mua, kjo gjeneratë përkon ekzaktësisht me kohën që ka nevojë për këtë ri-korrektim, për këtë transfuzion, gradual, por substancial dhe të konsiderueshëm, jo me pak prekje.
Platforma nuk është e re, filloi herën e shkuar dhe fakti që herën e shkuar pjesëmarrja ishte ku e ku më e ulët se sot dhe fakti që sot ka një prurje të natyrshme shumë më të madhe lidhet me kohën, lidhet me ndjesinë e përgjithshme të shoqërisë për të parë riformësim, për të parë rikorrektim, për të parë riorganizim dhe ne kemi detyrën t’i prijmë vendit dhe të jemi mbartësit domethënës të përgjigjes për këtë nevojë.
Nuk e di nëse po bëhem shumë teorik, por është shumë konkrete kjo që po përpiqem të them dhe jam shumë besimplotë që ky proces do të jetë shumë i shëndetshëm duke pasur parasysh që këtu nuk po krijohet thjesht një grup i madh për të zgjedhur një numër të caktuar përfaqësuesish të skuadrës sonë që do të zbresë në fushën e betejës në pranverën e ardhshme.
Këtu po krijohet një rezervë e re kapitali njerëzor që do të na duhet për shumë më tepër sesa grupit tonë të ri Parlamentar. Do të na duhet për të gjitha ato sfida shumë më të mprehta që kemi përpara të këtyre viteve deri në majën ku duhet me patjetër ta ngjisim Shqipërinë që për mua është maja e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe është një rrugë që kërkon shumë më tepër kapacitete të të kuptuarit të Europës, të të kuptuarit të funksionimit të të gjitha mekanizmave, të të kuptuarit të funksionimit të të gjithë procesit të negociatave jo thjesht si një proces në atë tavolinë, por si një proces që zhvillohet këtu duke bërë këtu gjërat me të cilat pastaj ti thua, “unë këto i kam gati”.
Me çeljen zyrtare të negociatave dhe me uljen në tryezë pas çeljes së negociatave, prapë zyrtarisht në kuptimin që u hapën, por ulja në tryezë kërkoi shumë kohë për arsye që tani nuk është koha e vendi për t’i shpjeguar, ne faktikisht e kemi çuar Shqipërinë në një stad tjetër.
Në një stad tjetër Shqipëria në të gjitha vlerësimet që i bëhen ekonomisë së saj, por nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që ky është një stad i ndërmjetëm dhe 2030 është një horizont që përmbyll të gjithë këtë fazë të rrugëtimit të kësaj gjenerate që udhëheq sot Partinë Socialiste.
Pa u zgjatur dhe pa ju lodhur më shumë, dua vetëm t’ju them që pyetja që duhet ti bëni vetes pas këtij takimi është “Çfarë do bëni nesër”? Mos prisni që nesër do të vijë dikush që t’ju kapë përdore dhe t’ju thotë “Sa mirë, shyqyr se ty po të prisnim. Ku do që të ulesh, në radhën e parë? Kur do e marrësh fjalën, i pari apo i dyti”? Prisni që nesër askush të mos kujtohet më për ju. Konkretisht, nesër. Nesër në mëngjes, erdhët këtu dëgjuat fjalim, nesër mos prisni t’ju bjerë telefoni e t’ju thonë “Hajde se po të presim se nuk fillojmë dot pa ty”. Nesër ju duhet të filloni të provoni për Partinë Socialiste që jeni të dobishëm dhe jeni të nevojshëm se përndryshe, të gjitha gjërat e bukura që ju keni bërë në jetë, të gjitha ato studimet dhe gradat e të gjitha janë shumë të bukura e ti gëzoni, ato ju dalin e ju teprojnë për të qenë të nderuar e të respektuar aty ku jeni, por ato nuk mjaftojnë për të krijuar nevojën për ju për të thënë “Hajde se kemi nevojë për ty” dhe nevoja krijohet kur cilido prej jush dhe cilado prej jush që do të fillojë nesër pa pritur që t’i thonë se çfarë të bëjë, do të fillojë të duket, pavarësisht gjatësisë do fillojë të duket mbi të tjerët. “Shiko, shiko, është ajo profesoresha që është atje, ka bërë një takim, ka mbledhur ca të tjerë, ka dalë këtu, ka dalë atje, ka folur kështu, shikoje se çfarë aktiviteti ka një rrjete sociale, shiko sa njerëz e ndjekin” dhe kjo fillon krijon hapësirën tënde dhe fillon e krijon vëmendjen tek ti jo thjesht për atë që ti je, por për atë që ti mund të japësh sepse je ai që je, që mund t’i japësh skuadrës, që mund t’i japësh këtij komuniteti, që mund t’i japësh Partisë Socialiste, që mund t’i japësh Shqipërisë përmes Partisë Socialiste përndryshe shumë njerëz mendojnë që Parlamenti duhet të jetë një vend ku kur të hapësh televizorin të ngelësh pa fjalë, pa frymë, pa tekst fare dhe të emocionohesh nga çdo fjalë që thonë ata që janë aty sepse aty duhet të jetë ajka e ajkave të ajkave. Nuk është kështu!
Thonë që ky lloj parlamenti ka ekzistuar në Greqinë e lashtë, thonë që ky lloj parlamenti ka ekzistuar në senatin e Romës, por dhe atëherë nuk është kështu. Historinë edhe të Agorave të Greqisë së lashtë dhe të Senatit të Romës e kanë bërë dhe e kanë shkruajtur disa prej tyre. Të tjerët kanë qenë, ju siguroj, njerëz si këta që janë sot, por që nuk janë atje kot, nuk janë atje kot. Nuk ka parlament në asnjë vend të botes ku të gjithë deputetët, të gjithë kongresmenët, të gjithë senatorët, të gjithë parlamentarët janë njerëz të cilët marrin mikrofonin dhe të lënë pa fjalë. Shumica janë njerëz që flasin pak ose aspak, por kanë role të tjera. Kanë role teknike, kanë role atje në zonë tek njerëzit, kanë votat, kanë mbështetjen, përfaqësojnë njerëz. E kam thënë shpesh. Nëse ju do shikoni telefonat e një numri deputetesh që juve nuk e konceptoni dot për çfarë janë atje, ju do habiteni sesa shumë numra ka në ato telefona. Nëse ju do t’i ndiqni një ditë, se çfarë bëjnë gjithë ditën, ju do habiteni se sa shumë njerëz takojnë dhe ju do habiteni se sa herë këta lloj deputetesh kanë shkuar në spital, jo për veten e tyre, por për të çuar njerëz nga zona atje. Se sa herë kanë bërë rrugë për tu kujdesur etj. Është një familje komplekse, nuk është një grup elite që zbret nga salla e çmimit Nobel, jo! Dhe harmonizimi i gjithë këtyre forcave është forca e skuadrës, por thënë të gjitha këto, sot ne jemi në nevojën që skuadrës së PS t’i shtojmë kapacitet të krijuar në këtë pjesë të rrugës sonë nga fillimi i përpjekjes për të hyrë në Europë, flas i klithmës “E duam Shqipërinë si gjithë Europa’” deri në anëtarësim, që është kapaciteti i krijuar në të gjitha këto situata që ekspozohen këtu nëpërmjet atyre që flasim. Dikush që ka studiuar atje, dikush është atje i thotë duhet të vijë, dikush që thotë ka ardhur koha për mua, ky është një brumë disi ndryshe dhe ky brumë ne na duhet dhe ne do bëjmë çmos që ta integrojmë në bukën tonë, por ju lutem mos prisni asnjë mbështetje. Do merrni mbështetje, patjetër. Patjetër do merrni, por duhet ta kërkoni dhe duhet ta merrni, nuk vjen tua u japi njeri. Vetvetiu se unë e di si është kjo histori. Juve të gjithë, secili nga ju këtu sheh që ka shumë, do donte të kishte më pak këtu rreth e rrotull. Ka një problem. Këta që folën do kenë më shumë sulme nesër sesa ata që nuk folën. Kur dikush del dhe dallohet në këtë fushë, një gjë është e sigurtë, ka bërë më shumë armiq se ç‘kishte përpara se të dallohej. Se sa miq dhe mbështetës i ka mbetur është diçka tjetër, por që ka bërë më shumë armiq se ç‘kishte para se të dallohej kjo është e sigurt fare. 100%. Edhe Bora që është njeri pa, të paktën unë nuk i kam parë këto ambiciet egoiste, mos u çudisni ndonjë ditë kur ta shihni. Në momentin që Bora do t’ia bëjë kështu dikujt nga vajzat, vajza do kuptojë që aty ka filluar të rritet. Deri kur Bora thotë; “moj xhan si je, hajde moj shpirt ku je”, aty do kuptojë që s’është akoma aty ku duhet. Kur të fillojnë sytë e vëllezërve dhe motrave socialistë të kenë një lloj xixëllime që sa çka brenda ‘jemi bashkë’ ka dhe brenda “mor kush je ti”, atëherë juve duhet të ndiheni se keni hedhur seriozisht hapin e parë. Pastaj hapat e tjerë do t’i shikoni vet. Është kështu politika, s’është ndryshe, kështu është kudo. Dikush shfaqet më brutalisht, dikush shfaqet më bukur në dukje por në përmbajtjen e vet është një betejë egosh, individësh, bërrylash, force, gare etj. E rëndësishme është që të gjitha këto të kanalizohen sa më shumë në një qëllim të përbashkët dhe të prodhojnë rezultat, gjë që ne e kemi arritur relativisht. Mund të bënim më shumë, mund të bëjmë më shumë, do përpiqemi të bëjmë më shumë, por është kështu.
Prandaj nuk dua që nesër askush nga ju të më shkruajë dhe të më thotë: kjo ishte lojë se “mua s’më thirri, se mua s’më lajmëroi”. S’të lajmëroi? Po pastaj? E para pse duhet të të lajmërojë një herë? Që të shkosh ti zësh vendin? E dyta, ti nuk ke ardhur që të lajmërohesh, ti ke ardhur që të lajmërosh. Dhe e treta, këtu nuk ka kritere objektive matematike. Kaq dhe kaq bëjnë kaq, në fund del aq. E dorëzove fletën e provimit, 10. Për këtë shko mëso të tjerët. Ka nevojë shumë për mësues matematike në Shqipëri, e keni parë ç’kemi hequr me aritmetikën deri në nivelet më të larta të udhëheqjes. Ka shumë nevojë për mësues aritmetike por nuk është aritmetikë. Është shah, është boks, është not, është mundje, është vrap, është çdo lloj sporti, por nuk është aritmetikë. Një dhe një nuk bëjnë dy. Mund të bëjnë dhjetë, mund të bëjnë zero.
Një gjë është e sigurt ama. Këtë ua u them me siguri. Nëse e ke ndarë mendjen që do të shkosh në X destinacion, do të ngjitesh në X lartësi dhe nëse je gati që për tu ngjitur deri atje të përballosh çdo lloj gjëje, ti do shkosh atje herët ose vonë. Por ama duhet të jesh gati të përballosh çdo lloj gjëje se mund të thuash, kushdo mund të thotë, unë dua të marr Topin e Artë. Ok, por ama duhet të jesh gati që e para një herë, këtë topin e artë që ti e sheh si ëndërr, e ke ëndërr vërtete që të drithëron gjithë trupin apo është thjeshtë një ‘dua të marr topin e artë por se marr dot se kam operuar hernien’, nuk bëhet. Dua unë ta marr topin e artë por nuk i hyj fare asaj. Dhe e dyta, nëse ti je gati që për të shkuar për ta marrë topin e artë të pranosh çdo gjë që do dali përpara. Çdo rrëzim, çdo padrejtësi, çdo rrëshqitje, çdo gjë. Vetëm kështu. Historia e politikës është historia e njerëzve guximtarë dhe pastaj historia e të qëndruarit drejtë është një histori më vete për të cilën do kemi shumë kohë të flasim se në politikë ka njerëz që bëjnë sukses të përkohshëm, por pastaj bien se nuk qëndrojnë drejtë. Është më komplekse se kaq.
Ju falënderoj shumë edhe do të më duhet t’ju them ‘rruga mbarë nga keni ardhur dhe natën e mirë’ se do mbledhim udhëheqjen tani në orën 6 dhe do flasim edhe me pjesën tjetër, me atë pjesë që faktikisht ka detyrën të udhëheqë dhe betejën e ardhshme. Uroj shumë dhe shpresoj shumë dhe ju uroj që sa më shumë prej jush t’ju shoh përsëri dhe t’ju kemi në krah edhe mundësisht t’ju kemi edhe në skuadrën e Parlamentit të ri, por edhe në skuadrën më të gjerë të qeverisjes për Shqipërinë 2030.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu