Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se “dera e Europës është e hapur”, por vendi duhet të përmbushë mijëra detyra deri në vitin 2027.

Në një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 12 në Tiranë, Rama u shpreh se negociatat mund të mbyllen brenda këtij afati, nëse plotësohen mbi 4 mijë kritere të vendosura nga BE. Ai theksoi se për herë të parë Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave në kohë rekord.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat për korrupsion, duke i cilësuar si “gënjeshtra”, ndërsa argumentoi se rritja ekonomike, pagat dhe investimet e huaja janë prova konkrete e progresit. Sipas tij, nëse korrupsioni do të ishte rritur, nuk do të kishte zhvillim ekonomik.

Rama pranoi se vendi ka ende shumë punë përpara, por theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund të çojë Shqipërinë drejt BE-së, duke shtuar se “kjo është një mundësi historike që nuk duhet humbur”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu