Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi me Asamblenë e PS në Lezhë, deklaroi se Shqipëria synon mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030.

Rama theksoi se ky nuk është një objektiv i rastësishëm, por një plan i dakordësuar me institucionet europiane, duke nënvizuar se vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave në kohë rekord.

Sipas tij, procesi i integrimit varet jo vetëm nga reformat që bën Shqipëria, por edhe nga gatishmëria e vendeve anëtare të BE-së, ku mjafton një votë kundër për të bllokuar vendimmarrjen.

Kryeministri u shpreh se vendi ndodhet në një moment të favorshëm dhe se duhet shfrytëzuar për të përmbyllur procesin e integrimit, duke kërkuar angazhim maksimal dhe unitet politik.

Në fjalën e tij, Rama solli edhe shifra për ekonominë, duke deklaruar se prodhimi i përgjithshëm është rritur nga më pak se 10 miliardë në rreth 27 miliardë, me objektiv 35 miliardë  deri në vitin 2030.

Ai u ndal edhe tek rritja e pagave dhe pensioneve, duke theksuar se tashmë pensionet janë futur në një trajektore rritjeje të përvitshme, ndërsa paralajmëroi edhe skema të reja mbështetëse.

Rama deklaroi gjithashtu se turizmi dhe investimet e huaja kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa mbrojti punën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se sipas tij, niveli i korrupsionit është më i ulët se më parë.

Në përfundim, ai kërkoi që Partia Socialiste të dalë e fortë në zgjedhjet e ardhshme vendore, duke e cilësuar procesin e integrimit si një objektiv historik që nuk duhet të dështojë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu