
Përfaqësuesja e lartë e BE për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Kaja Kallas deklaroi në Tiranë se reforma në drejtësi është padyshim pikë kyçe për familjen europiane.
“Reformat e BE-së kanë disa faza, pastaj është pjesa e gjyqësorit, jo vetëm të nisin procese, por të arrihen në vendime gjykatash. Kjo për të parë se të gjithë po e marrin seriozisht luftën kundër korrupsionit. Paratë e taksapaguesve të shkojnë aty ku duhet të shkojnë”, u shpreh ajo.
Ndërsa kryeministri Edi Rama në mbyllje të konferencës e zhvendosi vëmendjen te samiti më 16 Maj dhe tek marrëveshja e nënshkruar sot. Nisur nga plani i investimeve, parashikoi rikthimin e hekurudhave në Shqipëri.
“Jemi duke u përgatitur intensivisht për samitin më 16 Maj ku do vijnë të gjithë udhëheqësit e kontintetit demokratik europian. Përgjegjësi e madhe si aktorë në këtë rajon që është gjithnjë e më i rëndësishëm për BE-në. Së dyti dua të them që nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore dhe kjo është arsyeja që ky 5 vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade, do jetë njëkohësisht një 5 vjeçar kur do rikthehehn hekurudhat në Shqipëri dhe kjo është një nga shumë arsyet për të besuar dhe luftuar që ne të anëtarësohemi në BE. Sepse falë kësaj marrëdhënieje ne jemi sot në gjendje të kryejmë një sërë investimesh që përndryshe do ishin të pamundura për ne. BE s’është vetëm çështje investimesh, por në radhë të parë është çështje liri, barazie para ligjit. Në këto vitet e fundit ne jemi duke bërë një ushtrim të panjohur më parë, falë reformës në drejtësi. Ne kur kemi nisur këtë rrugëtim kemi qenë në të njëjtat kushte ekonomike e sociale si Iraku e Afganistani, që kanë provuar të bëjnë demokraci. Ne ishim Koreja e Veriut në këtë kontinent dhe nëse sot jemi këtu ku jemi, ka vetëm një arsye. Ne kemi BE-në!”, përfundoi ai./klan