Tokio, 7 shtator 2025 — Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, ka njoftuar dorëheqjen e tij pas më pak se një viti në detyrë, duke hapur rrugën për një fazë të re pasigurie politike në vendin e katërt më të madh ekonomik në botë.

Vendimi vjen pas dy humbjeve të rënda për Partinë Liberal Demokratike (LDP), e cila nën drejtimin e Ishibas humbi shumicën në Dhomën e Ulët për herë të parë në 15 vjet dhe më pas edhe në Dhomën e Lartë në zgjedhjet e korrikut. Dorëheqja u bë publike një ditë para votimit të pritshëm brenda partisë për një garë të re udhëheqjeje, që mund ta kishte larguar nga posti.

“I besova me forcë idesë se negociatat për tarifat amerikane, të cilat mund të përshkruhen si një krizë kombëtare, duhej të përfundonin nën përgjegjësinë e administratës sonë,” deklaroi Ishiba, duke iu referuar marrëveshjes së arritur javën e kaluar me presidentin amerikan Donald Trump për lehtësimin e tarifave mbi eksportet japoneze.

Ishiba, 68 vjeç, kishte premtuar reforma ekonomike dhe përballimin e krizës së kostos së jetesës, por përballja me inflacionin e lartë—përfshirë dyfishimin e çmimit të orizit—dëmtoi rëndë mbështetjen publike. Kritikat u shtuan pas vendimeve të diskutueshme, si përzgjedhja e vetëm dy grave në kabinet dhe shpërndarja e dhuratave të shtrenjta për anëtarët e partisë.

Ai tha se do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e tij “në shërbim të popullit” deri në zgjedhjen e pasardhësit.

Partia Liberal Demokratike pritet të zhvillojë një votim të brendshëm në ditët në vijim, me disa figura të njohura që përmenden si kandidatë të mundshëm për postin e kryeministrit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu