
Historia e qenushes “Muja”, të adoptuar nga Kosova nga kryeministri i Holandës, Rob Jetten, është rikthyer sërish në vëmendje në rrjetet sociale.
Në fakt, vetë Jetten e ka treguar këtë histori në një postim të bërë në vitin 2023 në Instagram, ku rrëfen se rreth dhjetë vite më parë, gjatë një udhëtimi në Kosovë, gjeti në rrugë një këlysh të vogël me këmbë të thyer.
“Në atë kohë gjeta me miqtë një këlysh të vogël në rrugë në Kosovë. Ishte një kafshë e dashur, por me këmbë të thyer. E morëm me vete në një kuti kartoni për ta çuar të nesërmen te veterineri”, shkruan ai në postim.

Më tej, Jetten tregon momentin që e bindi përfundimisht ta adoptonte:
“Kur u zgjova në mëngjes dhe ajo rrinte pranë meje duke tundur bishtin, u binda plotësisht. Këlyshja – që më pas e quajta Muja – erdhi me mua në Holandë.”
Ai pranon se fillimi nuk ishte i lehtë, pasi Muja ishte rritur në rrugë dhe kërkonte shumë përkujdesje, por shton se ajo i ka sjellë “strukturë dhe qetësi” në jetën e tij.
Sipas postimit të vitit 2023, Muja tashmë është në “pension” dhe qëndron përkohësisht te një familjar për shkak të angazhimeve të shumta të tij.
Rob Jetten u betua si Kryeministër i Holandës më 23 shkurt 2026, duke u bërë më i riu në historinë moderne të vendit që mban këtë detyrë në moshën 39-vjeçare.
Jetten është gjithashtu kryeministri i parë i Holandës që ka deklaruar hapur orientimin e tij homoseksual, çka u konsiderua një moment historik për përfaqësimin dhe diversitetin në politikën europiane.



