
Tel Aviv, 6 prill – Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Izrael, ku sot vizitoi Qendrën Mjekësore Sheba në Tel Aviv, një nga spitalet më të mira në botë, renditur në vendin e 8-të globalisht. Vizita është pjesë e një bashkëpunimi të zgjeruar midis Sheba dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, që ka nisur në pavionin onkologjik dhe do të pasohet me ngritjen e një qendre inovacioni dhe inteligjence artificiale në QSUT.
Kryeministri Rama u prit nga drejtuesit dhe stafi mjekësor i Qendrës, të cilët prezantuan nga afër teknologjitë më të fundit që përdoren në trajtimin e pacientëve – përfshirë një pavion urgjence që operon me ndihmën e një “Asistenti Virtual Mjekësor”.
“Pacienti nuk takohet menjëherë me mjekun, por flet me një asistent virtual që njeh historikun shëndetësor dhe orienton procesin diagnostik. Sistemi përzgjedh analizat, imazherinë dhe ekzaminimet e nevojshme, duke ndihmuar mjekun në marrjen e vendimeve”, shpjegoi një nga mjekët e rinj të Qendrës.
Sipas përfaqësuesve të Sheba, ky sistem synon të ulë me 30-40% ngarkesën ditore të mjekëve, që përballen me rreth 800 pacientë në ditë, ndërsa ruhet siguria e pacientëve përmes mbikëqyrjes njerëzore.
“Ne jemi vendi i parë që përdor këtë sistem me pacientë realë në urgjencë, dhe nëse provohet se sistemi është po aq efikas dhe i saktë sa një mjek, atëherë mund të reduktojmë ndërhyrjen njerëzore në proceset standarde mjekësore,” u theksua nga drejtuesit.
Kryeministri Rama falënderoi për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të ardhmen e shëndetësisë në Shqipëri.
“Është një nder dhe kënaqësi që ndodhem këtu. Besoj shumë në forcimin e partneritetit tonë, dhe jam i lumtur që bashkëpunimi ka marrë një drejtim kaq premtues,” u shpreh ai.