
Jeruzalem, 7 prill 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, gjatë një ceremonie solemne të mbajtur në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem. Ky çmim prestigjioz u dha në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Ramës dhe të popullit shqiptar në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Presidenti Herzog vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në historinë e mbrojtjes së hebrenjve dhe theksoi vlerat unike të popullit shqiptar. “Shqiptarët, myslimanë e të krishterë, i vunë jetët e tyre në rrezik për të shpëtuar hebrenjtë. Ata jetuan sipas parimeve të tyre fisnike dhe sipas kodit të besës. Ky është një humanizëm që meriton nderim të përjetshëm,” deklaroi Herzog.
Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, ai shtoi: “Ju jeni një mik i madh i Izraelit, një lider me qartësi morale dhe guxim, dhe një zë i fuqishëm kundër urrejtjes, antisemitizmit dhe ekstremizmit.”
Nga ana e tij, Kryeministri Rama falënderoi për nderimin e bërë dhe e cilësoi atë si një vlerësim që i takon mbarë popullit shqiptar. “E marr këtë medalje jo për veten time, por në emër të shqiptarëve që, në kohën më të errët të njerëzimit, hapën dyert e tyre për hebrenjtë që kërkonin strehë. Ky është një nderim për besën shqiptare, për atë kulturë të mikpritjes që e dallon kombin tonë,” u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një aleate e palëkundur e Izraelit dhe se angazhohet për të luftuar çdo formë të antisemitizmit dhe diskriminimit. “Në këtë kohë sfiduese për botën demokratike, qëndrojmë përkrah Izraelit dhe çdo populli që përpiqet të jetojë i lirë dhe i sigurt,” shtoi ai.
Ceremonia u ndoq nga zyrtarë të lartë izraelitë, përfaqësues të komunitetit hebre dhe anëtarë të delegacionit shqiptar, duke theksuar rëndësinë që të dyja vendet i kushtojnë marrëdhënieve dypalëshe dhe trashëgimisë historike që i lidh.