
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e akordimit të çmimit “Karli i Madh” (Charlemagne) për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Aachen të Gjermanisë.
Rama e cilësoi privilegj të ishte ndër të ftuarit e nderit në këtë ceremoni.
“Gjermani – Privilegj të isha ndër të ftuarit e nderit në ceremoninë e akordimit të çmimit prestigjioz “Charlemagne Prize” për Presidenten e Komisionit Europian dhe miken e çmuar, Ursula von der Leyen”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
”Kryetarja e Komisionit Evropian po nderohet sepse ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e Evropës të bashkuar, elastike dhe të aftë për veprim”, thuhet në një deklaratë nga organi që jep çmimin.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në bashkinë e Aachen-it, një qytet i lashtë në kufirin me Belgjikën dhe Holandën dhe i lidhur me perandorin evropian të shekullit XVIII Karli i Madh.
Folësit përfshinë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe mbretin Felipe VI të Spanjës.
Midis 700 të ftuarve të nderit ishin ish-laureatë, si ish-kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker.
Çmimi ”Karli i Madh” është dhënë nga qytetarët e Aachen-it për 75 vjet për shërbime ndaj Evropës dhe unitetit evropian.
Midis laureatëve janë shumë politikanë si ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, kancelarja gjermane, Angela Merkel ose ish-presidenti amerikan, Bill Clinton si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe i ndjeri papa Françesku.
Në vitin 2023, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas u nderuan me këtë çmim.
Çmimi përbëhet nga një certifikatë dhe një medalje ari.
Çmimi mban emrin e Karlit të Madh, perandoria frankiste e të cilit shtrihej në pjesë të mëdha të Evropës në Mesjetën e hershme dhe për këtë arsye nganjëherë ai quhet edhe Ati i Evropës.