Deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar pasi i është komunikuar masa detyrim paraqitje në dosjen për lobimin e LSI në SHBA e hetimin pasuror, për të cilën u arrestua edhe bashkëshorti i saj Ilir Meta. GJKKO ka caktuar ndaj saj masën detyrim paraqitjeje. Kryemadhi thotë se do të përballet me drejtësinë pa asnjë hezitim, por i shigjeton organet ligjzbatuese duke thënë se ky është gjyq politik dhe publik.
Sipas saj, kjo goditje bëhet me synim për të vrarë aksionin e opozitës. Ajo shkruan se i kanë mbërritur dhjetëra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë. Kryemadhi paralajmëron se do të përballen me drejtësinë dhe të vërtetën e saj brenda e jashtë vendit.
Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë. Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite. Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetëra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi.
Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës. Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procesve gjyqësore pa prova dhe pa fakte.
Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrenë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.
Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit./shqiptarja.com