
Kuzhinieri i famshëm me origjinë shqiptare, René Redzepi, ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i restorantit të njohur Noma në Kopenhagë, pas akuzave për dhunë dhe abuzim në vendin e punës.
Shefi dhe bashkëthemeluesi i restorantit – i konsideruar prej vitesh një nga më të mirët në botë – e bëri publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njoftoi se po tërhiqet pas më shumë se dy dekadash në krye të “Noma”.
“Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe udhëhequr këtë restorant, kam vendosur të tërhiqem dhe t’u lë hapësirë drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm që ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm”, shkroi ai.
Vendimi vjen pasi dhjetëra ish-punonjës të restorantit e kanë akuzuar Rexhepin për krijimin e një ambienti toksik pune, që sipas raportimeve të mediave përfshinte abuzime verbale dhe raste të keqtrajtimit fizik në kuzhinë.
Një investigim i publikuar nga The New York Times citon dëshmi të ish-punonjësve që pretendojnë se në restorant kishte një kulturë presioni dhe frike. Një prej tyre, Jason Ignacio White, deklaroi se kishte qenë dëshmitar i sjelljeve abuzive gjatë kohës që kishte punuar aty.
Pas publikimit të akuzave, Rexhepi kërkoi falje publikisht duke pranuar se në disa raste kishte bërtitur ndaj stafit dhe i kishte shtyrë fizikisht, veprime që i cilësoi të papranueshme. Ai shtoi se ka ndjekur terapi për të menaxhuar më mirë zemërimin.
Ndërkohë protestat shpërthyen edhe në Shtetet e Bashkuara, jashtë lokacionit të përkohshëm të restorantit në lagjen Silver Lake në Los Angeles, ku “Noma” kishte planifikuar një seri darkash me çmim rreth 1500 dollarë për person.
Si pasojë e polemikave, disa sponsorë u tërhoqën nga eventi, ndërsa Rexhepi njoftoi gjithashtu dorëheqjen nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, të cilën e kishte themeluar në vitin 2011 për të mbështetur profesionistët e industrisë së restoranteve.
Pavarësisht largimit të tij, drejtuesit e restorantit kanë bërë të ditur se “Noma” do të vazhdojë aktivitetin dhe projektet e planifikuara edhe pa praninë e shefit të njohur shqiptar në drejtim.



